Kalo te lënda

Janiçijeviqin e vrau “mafia veriore”

fotoSZXRUQTAVrasja e 35-vjeçarit Dimitrije Janiçijeviq, afaristit të njohur serb të veriut të Mitrovicës, ish-kandidatit të SLS-së për kryetar të Mitrovicës dhe asambleistit të Kuvendit të Komunës veriore, ka mbjellë frikë dhe shqetësim te banorët e pjesës veriore të Kosovës, edhe të shqiptarëve, por edhe të vetë serbëve. Tani kur sërish do të mbahen zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së veriut, serbët thonë se ndihen të pasigurt, si asnjëherë. Shumica e serbëve nuk dinë për shkaqet e vrasjes së Janiçijeviqit, por ata besojnë se në Janiçijeviqin shtiu, siç thonë “mafia veriore”.

Ai ishte njëri prej afaristëve më të suksesshëm në veri të Mitrovicës. Sipas serbëve, ai dhe biznesi i tij ishin sulmuar me mjete shpërthyese edhe disa herë, ndërsa kandidimi për kryetar të pjesës veriore të Mitrovicës kishte alarmuar “mafien veriore” dhe kishte nxitur atë që sa më shpejt ta heqin qafe, shkruan “Zëri”.

Në Mitrovicën e veriut, e premtja , dita kur në Rudare të Zveçanit varrosej Dimitrije Janiçijeviq, është shpallur ditë zije. Ai ka jetuar në shtëpinë e tij në rrugën “Rudarske çete” në veri të Mitrovicës, ku edhe u vra.

Për ngjarjen e rëndë veriorët nuk flasin me dëshirë. Jelena Stefanoviq, rreth të 50-ve, thotë sigurt se Janiçijeviqi u vra sepse ishte bërë therë në sy për afaristët tjerë, si dhe për politikanët, të cilët në të shihnin një politikan të zotin.

“Dimitrijen e ka vrarë mafia, njerëzit e kontrabandës, njerëzit që nuk kanë mundur ta durojnë suksesin që ka treguar ai në biznes. Ka kohë që e kanë sulmuar atë, pasurinë e tij, familjen e tij, por ka arritur të shpëtojë. Kur ka kandiduar për kryetar të Mitrovicës, ka qenë një befasi e këndshme, shumëkush në të e ka parë një njeri që do të ishte shumë i suksesshëm edhe në politikë”, thotë ajo, duke shtuar se tash asnjë qytetar në Mitrovicën e veriut nuk e ndjen veten të sigurt.

“Çfarë sigurie, dalin të vrasin dhe shkon si qeni në rrush. Vrasësit nuk i lyp askush. Cili vrasës është zbuluar?! Asnjë. Kjo gjendje është për t’u vajtuar”, thoshte Jelena, e cila po bëhej gati për të shkuar në varrimin e Janiçijeviqit.

Thonë se vendimi i tij për t’i hyrë politikës i ka nervozuar kundërshtarët . Emri i Dimitrije Janiçijeviqit, si dhe i këshilltarëve të tjerë gjendej në një pamflet me shenjën “Izdaja” (tradhtia) dhe: “Le të mbetet në kujtesë, para cilit flamur dhe kujt do t’i betohen kandidatët nga këto lista”. Emri i Janiçijeviq ndodhej në krye të listës së kandidatëve të SLS-së nga data 18 shtator 2013.

Edhe lideri i SLS, Sllobodan Petroviq, vrasjen e Janiçijeviqit e ka cilësuar si vrasje politike. “Shkak i kësaj tragjedie është politike. Politikat që nuk garantojnë siguri dhe kualitet të jetës janë politika të pakuptimta dhe humbëse. Politikat që marrin jetë njerëzish janë kriminale. Andaj puna jonë është që të luftojmë kundër këtyre politikave”, ka thënë Petroviq.

Se nuk do të zbulohen vrasësit e Dimitrije Janiçijeviqit, mendimin e ndan edhe shefja e Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiq, e cila ishte kandidate e pavarur për kryetare të Mitrovicës së veriut.

“Qytetarët e Mitrovicës së veriut janë të bindur se autorët e këtij krimi nuk do të zbulohen kurrë. Kjo vrasje është shokuese për të gjithë në veri . Ka ndodhur diçka që askush nuk e ka pritur. Disa qytetarë kanë ardhur te unë (të premten) dhe më e keqja është se ata janë të bindur se rasti nuk do të zbardhet, e këtu tani humb shpresa”, thotë Hoxhiq, duke shtuar se ka pasur edhe raste të tjera që nuk janë zbuluar dhe kjo u ka lënë përshtypje dhe hapësirë kriminelëve të mendojnë se nuk do të zbulohen dhe nuk do të dënohen.

“Njerëzit tani janë shumë të frikësuar. Mënyra e vetme që të kthehet besimi te qytetarët dhe institucionet e sigurisë është që të zbardhen të gjitha rastet e krimeve që kanë ndodhur rreth nesh”, ka thënë Hoxhiq.

Vrasja e Janiçijeviqit, për peshkopin Teodosije është epilogu përfundimtar i një presioni të madh mbi të.

“Ky akt kriminal është epilog përfundimtar i presionit mbi këtë njeri, sepse edhe më përpara është vënë eksploziv në veturën e tij dhe lokali i është djegur. Vrasja e Janiçijeviqit shpërfaq mendjen e prishur të kriminelëve, të cilët nuk zgjedhin mjete për t’i eliminuar ata që mendojnë ndryshe. Ata mendojnë se me dhunë dhe me urrejtje mund t’i realizojnë qëllimet e tyre”, tha mes tjerash peshkopi Teodosije./Zëri/

Lini një koment