Veteranët e UÇK-së kërkojnë të drejtat e tyre
Dhjetëra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë protestuar para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar të drejtat e tyre.Protesta u organizua nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të luftëtarëve të UÇK-së. Gjatë protestës e cila zgjati rreth një orë, veteranët dhe përkrahësit e tyre, u munduan hyjnë në Kuvendin e Kosovës, por u tërhoqën pasi kërkuan nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të takoheshin me të.
Disa nga parullat që protestuesit mbanin në dorë ishin “Mjaft kemi heshtur”, “Pse bënë vetëvrasje 45 veteran”, “Duam Ligjin për veteranët e luftës së UÇK-së”, “Boll mashtrime”, etj, raporton KP.
Kryetari i këtij Këshilli, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se duan që sa më shpejtë të miratohet ligji për vlerat e luftës, ku të gjitha kategoritë e dala nga lufta do të përfitonin nga beneficionet që parashihen në ligj.
“Sot Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të veteranëve të luftës, ka organizuar këtë protestë. Qëllimi i kësaj proteste është gjendja e vështirë e veteranëve të luftës, gjendja ekonomike, shëndetësore, papunësia e madhe dhe mos miratimi i ligjit për vlerat e luftës. Motoja e kësaj proteste është se kërkojmë ligjin për veteranët e luftës që të miratohet nga Parlamenti i Republikës së Kosovës. Ne jemi të pakënaqur qe 14 vite me këtë gjendje çfarë jemi dhe kërkojmë që në një kohë sa më të shpejtë, ky ligj të miratohet. Në të kundërtën ky është vetëm një paralajmërim i shkurtër për protestat e ardhshme që do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen”, ka shtuar Qeriqi.
Gjatë protestës e cila zgjati rreth një orë, veteranët dhe përkrahësit e tyre, u munduan hyjnë në Kuvendin e Kosovës, por u tërhoqën pasi kërkuan nga Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të takoheshin me të. Qeriqi, tha se disa herë edhe kryeministrit, Hashim Thaçi i ka bërë kërkesë për takim, mirëpo ai nuk iu është përgjigjur.
“Ne edhe tani kërkuam që të kemi së paku një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Unë thash që është gjendja shumë e rëndë e veteranëve dhe presionet psikike kanë bërë që të tentojmë të hyjmë brenda”, ka shtuar ai.
Edhe disa veteranë, kanë treguar për gjendjen e mjerueshme të tyre, duke thënë se është turp për institucionet e Kosovës, që nuk janë duke u marrë me kërkesat e tyre.
Mahmut Sokoli, veteran, i UÇK-së, ka thënë se ka dal që t’i kërkoj të drejtat e tij. “Jemi dalë për të drejtat tona, statusin e veteranëve të luftës, dhe tjerat me rend”, ka shtuar Sokoli.
Edhe Rrahman Ramadani, ka thënë se kërkon një vend pune. “Jam veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi dal në protestë sepse nuk po na përkrahë askush. Nuk e kemi asnjë të drejtë, vende të punës nuk kemi. Kërkesat tona janë me na gjet ndonjë vend të punës neve që mundemi me punu. Ata që nuk munden me punu me iu dhënë pensione”, ka pohuar Ramadani.
Gjithashtu, ka pasur edhe përkrahës të veteranëve të cilët kanë dalë në protestë. Ilmi Gashi, ka thënë kërkesat e tyre janë për t’i ndihmuar veteranët e UÇK-së, pasi sipas tij janë njerëz të pa punë.
“Jemi dalë për veteranët e luftës për UÇK-në, që nuk kanë bërë asgjë deri më tani për të. Njëri më tregoi këtu që për dy euro nuk ka mundur ta nxjerrë një letër në komunë. Është turp sepse e kanë dhënë trupin e jetën për këtë ditë e tani po ju shkelen të drejtat. Kërkesat e tona janë me i ndihmuar UÇK-së, krejt janë njerëz të pa punë, duhet me ju dhënë ndihmë”, ka thënë Gashi.
Edhe Smajl Lushtaku, i cili jeton në Holandë, ka dal në ndihmë dhe përkrahje të tyre. Ai ka thënë se ka dal në protestë që ta ngritin zërin për realizimin e kërkesave të veteranëve.
“Unë vij nga Holanda. Kam ardhur që t’i përkrahi veteranët e luftës që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës, lirinë e këtij vendi, këtu ku sot kemi dal në këtë protestë që të drejtat e tyre të realizohen me qenë se jetojnë në mjerim të paskajshëm. Institucionet duke filluar prej qeverisë e të tjerat janë duke i anashkaluar kërkesat e tyre jetën e tyre, ekzistencën e tyre”, ka theksuar ai.
Ndryshe, kryeparlamentari, Krasniqi, ka pranuar në fund të protestës, që të takohet me tre përfaqësues të veteranëve, mirëpo protestuesit nuk pranuan që të hyjnë brenda por kanë thënë që Krasniqi të dal jashtë dhe të bisedoj me të gjithë.
Protesta përfundoi e qentë, ndërsa është paralajmëruar se do të ketë edhe protesta të tjera deri në realizimin e kërkesave të tyre. /KosovaPress/