Të lirohet zyra e Degës së AAK-së, është pronë komunale
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila në bazë të nenit 11, 13 dhe 58 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, nr. 03/L-040, pas rekomandimeve të grupit punues për shfrytëzimin e objekteve në pronësi të Komunës së Gjakovës për veprimtarinë e organeve të administratës komunale, ka marrë vendim që Dega e AAK-së në Gjakovë të lirojë hapësirat e punës të cilat shfrytëzohen për funksionimin e zyrës së AAK-së në rr. “Sefedin Xërxa”, pa numër, në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, objekti në të cilin funksionon zyra e AAK-së, Dega në Gjakovë, është në pronësi të Komunës së Gjakovës, ndërsa i njëjti duhet të lirohet për arsye të renovimit dhe të shfrytëzimit për nevoja të organeve të administratës komunale.
“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, ndërsa afati i fundit për lirimin e hapësirave të cilat shfrytëzohen për funksionimin e zyrës së AAK-së, Dega në Gjakovë, është data 01.02.2014”, thuhet në njoftimin e Komunës. Ky vendim i është dorëzuar Dr. Pal Lekajt, kryetar i Degës së AAK-së në Gjakovë.