Kalo te lënda

MPB nuk ia ndalon hyrjen sigurimit të armatosur të Dacicit

mpb-nuk-ia-ndalon-hyrjen-sigurimit-t-euml-armatosur-t-euml-dacicit_hdInstitucionet kosovare nuk e kufizojnë numrin e personave që vijnë së bashku me delegacionet e zyrtarëve serbë gjatë vizitave në Kosovë.

Një kufizim të tillë nuk e kanë bërë as me rastin e vizitës së fundit të kryeministrit serb, Ivica Dacic, pasi ai shoqërohej nga më shumë se 20 persona.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës i ka thënë KTV-së se gjatë qëndrimit të tij në Graçanicë, Dacici shoqërohej nga 18 persona të armatosur.

Sipas burimeve të KTV-së, Ministria e Brendshme, të 18-ve ua kishte lejuar që të futeshin të armatosur në Kosovë.

Kohavisioni ka kërkuar, dy ditë rresht, përgjigje nga Ministria e Brendshme, mirëpo ajo ka refuzuar të përgjigjej, pavarësisht premtimeve. KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe për pyetjen se a është e nevojshme që të lejohen të gjithë ata persona të hyjnë në Kosovë, duke marrë parasysh kapacitetet e institucioneve kosovare.

Jo vetëm Dacici, por edhe zëvendëskryeministri, Aleksandër Vucic, gjatë vizitës së tij në Graçanicë, pos Policisë së Kosovës, sigurohej nga një numër i madh i sigurimit të tij personal.

Gjatë vizitave të zyrtarëve serbë, Policia e Kosovës angazhon qindra policë, të cilët bëjnë përcjelljen e delegacioneve të tyre. /KTV/Koha/

Lini një koment