Jo zgjedhje në qershor
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin qershor, ashtu siç është duke kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Grabovci ka thënë se nuk është në interes të qytetarëve që zgjedhjet të mbahen në verë për shkak se ende nuk ka përfunduar reforma zgjedhore. Në këtë kontekst, Grabovci ka thënë se rregull e PDK-së është që zgjedhjet parlamentare të mbahen me reformë zgjedhore.
Sipas Grabovcit, të gjithë ata që kërkojnë, që zgjedhjet të mbahen në verë dhe pa reformë, janë të interesuar ta manipulojnë procesin zgjedhor.
“Ata që po kërkojnë zgjedhje në qershor janë të interesuar t’i manipulojnë zgjedhjet sikurse i kanë manipuluar zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. PDK-ja në zgjedhjet lokale është treguar shembull se si duhet të respektohet vullneti i qytetarëve”, ka thënë Grabovci. Por, pavarësisht kësaj, nënkryetari i PDK-së ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje kurdo që ato të mbahen.
Ai është shprehur i bindur se PDK-ja do ta dalë fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Në mënyrë të pakontestueshme Partia Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme sepse këtë fitore ia garantojnë vlerat, sukseset dhe ndryshimet në jetën e çdo qytetari të Kosovës”, është shprehur Grabovci.