Kalo te lënda

Hyseni: Thaçi duhet t’i kërkojë Serbisë heqjen e Kosovës nga Kushtetuta

fotoKosova nuk do të duhej t’i priste deputetët e Parlamentit Evropian të kërkojnë që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj, pasi që atë do të duhej ta bënte prej kohësh vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

Kështu vlerëson ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili thotë se kryeministri e ka shfrytëzuar dialogun vetëm për të bërë koncesione, deri te më të papranueshmet, raporton KTV.

Derisa rezoluta e miratuar të enjten në Parlamentin Evropian i bën thirrje Kosovës që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për ish-kryediplomatin kosovar, ato do të përsëriten vazhdimisht, derisa nuk do të materializohen nga Qeveria në kuptimin pozitiv.

Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i ka thënë KTV-së se Qeveria ka mungesë të vullnetit për luftën kundër krimit dhe korrupsionit sepse, sipas tij, korrupsioni është në masën më të madhe i përqendruar te vetë Ekzekutivi.

Ndërkohë, për Aleancën e Ramush Haradinajt, rezoluta e Parlamentit Evropian është përsëritje e përmbajtjes së Raportit të Progresit.

Të enjten, Parlamenti Evropian ka votuar Rezolutën për Kosovën, e cila ka dalë në bazë të raportit vjetor të raportueses, Ulrike Lunaçek.

Lini një koment