Haradinaj bëri homazhe të varret e vëllezërve Gërvalla
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj me bashkëpunëtorë, ka bërë të premten homazhe te varret e heronjve të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe te varri i nënës Ajshe Gërvalla, në Dubovik të Deçanit, në 32-vjetorin e rënies së vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.
Me këtë rast, Haradinaj ka deklaruar se vepra dhe rënia e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës, ishte frymëzim i përhershëm i të gjitha lëvizjeve dhe punës së brezave të tjerë drejt lirisë, pavarësisë dhe bërjes së shtetit të Kosovës.
“Ne sot e kujtojmë me respekt veprën e tyre, ashtu siç do ta mbajmë përherë të kthjelltë kurajon dhe mbështetjen që në ditët e vështira të luftës, por edhe pas saj, në vazhdimësi, na e kishte dhënë nëna e heronjve, Nëna Ajshe”, ka thënë kryetari Haradinaj.
“Puna jonë, e shokëve dhe bashkëveprimtarëve tanë, e atyre që ranë dhe e të tjerëve si dhe krejt ajo që bëmë më vonë për lirinë dhe shtetin tonë, ishte projekti dhe vizioni i këtyre heronjve”, është shprehur Haradinaj. /Telegrafi/