Bernard Nikaj pason Mimoza Kusari-Lilën në MTI
Inicialet e ushtruesit të detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë shumë shpejt do t’i hiqen Bernard Nikajt, i cili po e ushtron pozitën e ministrit që nga shkuarja e Mimoza Kusari-Lilës në Gjakovë. Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, pritet që këtë javë t’ia përcjellë kryeministrit Hashim Thaçi kërkesën për emërimin e Nikajt në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga radhët e AKR-së.
“Nikaj deri tani ka qenë zëvendësministër në këtë ministri dhe ka ndihmuar shumë në përparimet që ka shënuar MTI. Ai po ashtu e ka mbështetjen e plotë të degës tanimë më të suksesshme të AKR-së, asaj në Gjakovë, për të ushtruar detyrën e ministrit”, ka thënë një zyrtar i lartë i AKR-së për Tribunën, por që ka preferuar të mos i përmendet emri.
Sipas të njëjtit burim, tanimë letrën nominuese për emërimin e Nikajt në krye të MTI-së e posedon lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. “Të premten ose në momentin e parë që takohen presidenti i AKR-së dhe kryetari i PDK-së, kryeministri Hashim Thaçi, kërkesa për emërimin e Nikajt në postin e ministrit do t’i dorëzohet kreut të Qeverisë dhe besojmë shumë që ai do ta zyrtarizojë shumë shpejt Nikajn”, ka treguar burimi i gazetës.