Ismet Beqiri: S’ka vende të rezervuara për minoritetet
Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka mohuar mundësinë që Partia e Isa Mustafës të jetë pajtuar për vazhdimin e vendeve të rezervuara edhe për një mandat për pakicat në Kuvendin e Kosovës. Në këtë mënyrë, Beqiri ka thënë se LDK është për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më së largu në qershor, por jo edhe ndryshimin e Kushtetutës.
“Zgjedhjet duhet të mbahen më së voni në qershor. Kjo Qeveri s’mund të shkoj deri në fund të mandatit. Ne nuk pranojmë kurrfarë ndryshimesh zgjedhore që prekin Kushtetutën e Kosovës. Po ashtu, qëndrimi i LDK’së është i pandryshueshëm që ne nuk pranojmë vazhdimin e mandatit të vendeve të rezervuara. Ky është qëndrim i LDK’së, i Grupit Parlamentar, i Kryesisë. Asnjë qëndrim tjetër LDK s’ka rreth kësaj”, ka thënë Beqiri, për Express, të mërkurën.
Ndryshe, sot, Lideri i LDK’së ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është diskutuar edhe për takimin e djeshëm mes tij e Thaçit dhe Haradinajt.
“Konsiderojmë se s’kemi kohë të merremi me reformë zgjedhore që prek në Kushtetutë”, ka shtuar Beqiri.
Ndërkohë, edhe Gjermania është përfshirë vazhdimin e vendeve e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për pakicat kombëtare. Kështu, Ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer ka thënë se kjo temë është diskutuar me PDK, LDK dhe AAK’në në takimin e mbajtur të martën në Prishtinë. Por, ai ka thënë se nuk e di nëse Vetëvendosje e ka ndryshuar qëndrimin.
“Nuk e di nëse Vetëvendosje do të ndryshojë qëndrimin lidhur me vendet e rezervuara, sepse ne duam të arrihet progres”, ka Blomeyer.
Deri më tash pro vazhdimit të vendeve të rezervuara për minoritetet ka dal vetëm PDK, derisa parti tjera s’kanë dhënë një qëndrim të qartë. Sidoqoftë, zyrtarët e AAK’së nuk kanë dashur të flasin më shumë për këtë, duke thënë se partia e tyre e ka thënë më herët se është e hapur për të diskutuar çështjen e vendeve të rezervuara.
Por, Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj në një intervistë për televizionin publik në fund të vitit 2013 kishte thënë se vendet e rezervuara minoriteteve mund t’iu vazhdohen edhe një mandat me kush që të rritet edhe numri i deputetëve nga 120 në 140.
“Edhe një mandat me iu ofrue si opsion vendet e rezervuara për minoritetet. Jemi të interesuar me e rrit numrin e deputetëve në Parlament, poashtu në këtë mandat në 140 deputetë”, kishte thënë Haradinaj. Vendet e rezervuara për pakicat në Kosovë janë paraparë me Planin e Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Aty parashihet që pas dy mandateve vendet e rezervuara të deputetëve të pakicave të kalojnë në vende të garantuara. Pra, iu ruhen 20 vende dhe mund të fitojnë vende tjerë në Parlament vetëm nëse marrin vota më shumë se vendet që i kanë të garantuara.
Por, edhe nëse nuk marrin vota më shumë se sa 20 vendet në Parlament, komuniteteve iu ruhen vendet e garantuara. Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës, minoritetet përveç 20 vendeve të rezervuara, minoritetet kanë marrë edhe pesë të tjera me vota. Në Kuvendin e Kosovës janë 95 deputetë të partive shqiptare, kurse 25 të minoriteteve.
Ndryshe, me miratimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kuvend me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë vendet e rezervuara kanë kaluar në vende të garantuara.
Mirëpo, në atë kohë, Kryeministri Thaçi dhe liderët e partive me përjashtim të Vetëvendosjes, u patëm premtuar pakicave se do t’i kthejnë vendet e rezervuara edhe për një kohë në Kushtetutën e Kosovës.