Vetëvendosje i dorëzohet PDK-së!
Në fund të kësaj jave, ose në fillim të javës së ardhshme Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit, do t’i ndezë ekskavatorët për t’i rrënuar disa objekte që janë duke u ndërtuar në kundërshtim me ligjin.
Por, këtë fat nuk do ta kenë garazhet e PDK-së, ani pse u ndërtuan pa leje në sytë e Inspektoratit të Komunës. Madje, as ndërtimi nuk u bë në pronë të saj. Garazhet në të cilat pati ndërhyrë Komuna disa herë, tash do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, sikurse çdo objekt tjetër.
Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, dhe më 25 gusht të vitit 2013 është bërë fotografimi ortografik i Kosovës, shkruan Tribuna.
Sipas drejtorit të Urbanizmit, Liburn Aliu, të gjitha objektet që janë përfunduar para kësaj date, do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, e që pastaj është ligji që tregon kush legalizohet e kush jo. E, PDK-ja garazhet e veta i ka nisur së ndërtuari para kësaj date.