U punësuan ilegalisht, largohen nga Bahtiri
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka marrë vendim që nga institucioni që ai drejton t’i largojë 11 punonjës.
Sipas zyrtarëve komunalë, me rastin e pranimit të tyre nuk janë respektuar procedurat e rekrutimit, dhe as ligji për punonjësit civilë.
“Me rastin e pranimit të tyre nuk janë respektuar procedurat e rekrutimit të parapara sipas ligjit për shërbyesit civilë. Emërimet e këtyre punonjësve janë bërë në kohën e zgjedhjeve, çka do të thotë se është shkel institucioni i konkursit”, ka thënë për Indeksonline, Abdullah Bejtullahu, drejtor i Administratës së përgjithshme në komunën e Mitrovicës.
Sipas Bejtullahut, Kryetari Bahtiri, ka nisur të eliminojë çdo parregullsi, duke theksuar se nuk do të ketë keqpërdorime dhe as shkelje të ligjit.
“Kryetari i komunës është duke i eliminuar joligjshmëritë, ju keni dëgjuar që ka filluar të respektohet edhe orari i punës, ku dhe ka përmirësime të dukshme në atë drejtim. Është shikuar gjithë personeli se çfarë shkeljesh janë bërë, dhe ka filluar t’i eliminojë të gjitha parregullsitë”, ka shtuar ai.
Bejtullahu, ka mohuar se të 11 punonjësit kanë qenë anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Jo nuk është absolutisht e vërtetë që të larguarit janë në PDK. Ata punonjës janë larguar pasi që janë pranuar në mënyrë joligjore, dhe se kanë shkelur ligjin për shërbyesit civilë”, ka thënë Bejtullahu.