Krasniqi dhe Limaj drejt finalizimit të partisë së re
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, janë tashmë në fazën finale për krijimin e subjektit të ri politik në Kosovë. Kjo bëhet e ditur për INA nga burime të afërta të këshillit nismëtar për themelimin e subjektit të ri, të paralajmëruar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar.
Sa i përket lajmeve në media për takimet e shpeshta të dy protagonistëve për formimin e partisë së re me funksionarë të PDK-së, burimi i njëjtë i konsideron ato si të pa baza.
“Fatmir Limaj nuk është takuar asnjëherë me kryeministrin Thaçi ose me ndonjë funksionar të lartë të PDK-së. As në të ardhmen nuk pritet ndonjë takim ose unifikim me partinë e cila sot udhëheq me ekzekutivin. Rrugët tani më janë ndarë dhe subjektit politik i paralajmëruar kohë më parë është në fazën finale”, deklaroi burimi.
Gjithashtu, pritet edhe publikimi i emrit të ri të partisë. Ky subjekt i ri do të nisë menjëherë parapërgatitjet për zgjedhjet e reja parlamentare që pritet të mbahen nga mesi i vitit të ardhshëm.