Kalo te lënda

Kosova e Maqedonia kanë synim integrimin në BE e NATO

kosova-e-maqedonia-kan-euml-synim-integrimin-n-euml-be-e-nato_hdKryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi priti ambasadorin e ri te Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, ndërsa në takim u quajtën të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Në këtë takim u tha se Kosova dhe Maqedonia kanë synim anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Duke e uruar për detyrën e re në krye të Ambasadës së Maqedonisë në Kosovë, Krasniqi i ka vlerësuar shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Është e përbashkët rruga e Kosovës dhe e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, ndaj është e qartë dhe e domosdoshme edhe nevoja për t’u mbështetur reciprokisht në këtë rrugëtim” , është shprehur Krasniqi.

“Na lidh e kaluara e përbashkët për një kohë të gjatë në kuadër të Perandorisë turke dhe të Federatës jugosllave, në të mirë e në të keq, të cilën nuk mund ta zhbëjmë, por mund ta ndryshojmë të sotmen dhe të nesërmen e popujve tanë”, është shprehur Krasniqi.

Ambasadori i sapo emëruar i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, i ka quajtur të shkëlqyeshme marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke u zotuar se do të angazhohet me gjithë kapacitetin e tij që ato të thellohen edhe më.

Duke konstatuar se tanimë ndërmjet dy vendeve janë nënshkruar 23 marrëveshje të ndryshme, të cilat po japin fryte në interes të qytetarëve të dy vendeve, ai ka pohuar se do të angazhohet seriozisht për bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore të të dy vendeve, duke e përmendur në këtë kuadër edhe një vizitë të kryeparlamentarit Krasniqi në Parlamentin e Maqedonisë.

Lini një koment