Kalo te lënda

Hoxhic dhe Ivanovic presin të rikandidojnë

hoxhic-dhe-ivanovic-presin-t-rikandidojn_aIsh-kandidatja e pavarur për kryetare të Mitrovicës veriore, Adriana Hoxhiq, ka thënë se është duke e menduar seriozisht mundësinë e rikandidimit për kryetar të kësaj komune.

Ajo ka thënë se ende ka dilema, por gjasat janë të mëdha për t’u kandiduar. “Vendimin do ta sjell në ditët e ardhshme, por gjasat janë të mëdha të rikandidoj”, ka thënë Hoxhiq për “Epokën e re”.

Hoxhiq ka treguar se në analizën e saj është vetëm një çështje për shkak të së cilës ende nuk e ka të prerë qëndrimin nëse do të garojë për kryetar të Mitrovicës së veriut. “Problematika e Kosovës gjithmonë është e transmetuar si një problem ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Me të vërtetë kam qenë e zhgënjyer në zgjedhjet e kaluara duke i dëgjuar deklarimet e kandidatëve të tjerë si diçka negative që unë nuk jam as serbe e as shqiptare. Si shqiptarët ashtu edhe serbët kanë qenë të kërcënuar nëse do të më përkrahin mua, për faktin se nuk i kam takuar as komunitetit shqiptar e as atij serb”, ka deklaruar Hoxhiq.

Ish-kandidatja e pavarur ka shprehur optimizëm se procesi i ardhshëm zgjedhor ka mundësi të jetë më i mirë sesa procesi i kaluar.

Kurse ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës veriore nga Gradanske Inicijative SDP, Oliver Ivanovic, ka thënë se sot (e mërkurë) do të dalë me qëndrim nëse do të marrë pjesë në zgjedhje partia e tij dhe nëse ai do të jetë kandidati për kryetar të kësaj komune.

“Sot (e mërkurë) e kemi takimin në parti dhe do të vendosim nëse do të marrim pjesë në zgjedhje dhe nëse do të kemi kandidat për kryetar komune. Pra, deri të mërkurën pasdite nuk kam qëndrim të prerë për këtë çështje. Nuk mund ta shpreh disponimin tim për këtë para se të shoh se çka po mendojnë dhe çka po thonë të tjerët në parti. Prandaj nuk mund të spekuloj rreth asaj nëse do të kandidoj prapë. Ta shohim disponimin brenda partisë se kush është pro dhe kush është kundër”, ka thënë Ivanovici për “Epokën e re”.

Ndërsa sa i përket çështjes së rikandidimit, në dilemë është edhe ish-kandidati i PDK-së, Agim Deva.

Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve nuk mund të japë qëndrim të prerë për pjesëmarrje ose jo në zgjedhjet e përsëritura për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore. “Një herë duhet ta këqyrim qëndrimin e subjektit. Para dhjetë ditëve nuk e kam ndërmend të deklarohem. Të këqyrim një herë se çka po bëhet. Cilët do të jenë kandidatët për kryetar të Mitrovicës veriore, pastaj do të vendosim. Tani janë rrethana të tjera. Prandaj nuk e di nëse do të kandidoj. Disponimi është, por rrethanat po ndikojnë”, ka thënë Deva për “Epokën e re”.

Ai ka theksuar se nuk është e nevojshme t’i hyjë edhe një herë garës në rast se kërkohet që patjetër kryetari të jetë nga komuniteti serb. “Ndoshta është deklaruar atje se duhet me qenë serb kryetar i komunës së Mitrovicës veriore, atëherë ne nuk kemi se çka lypim. Prandaj nuk kemi arsye të hyjmë në një garë ku nuk ka dalje. Nëse ndërrohen rrethanat duhet të shikojmë atëherë”, ka deklaruar Deva.

Zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore do të përsëriten për shkak se kryetari i zgjedhur i kësaj komune, Kërstimir Pantic, ka dështuar ta japë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se, duke i pasur parasysh afatet ligjore, zgjedhjet në këtë komunë pritet të mbahen kah fundi i muajit shkurt. /Telegrafi/

Lini një koment