Berisha: Rama në Beograd nuk ka mandat të bisedojë për Kosovën
Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi mbrëmjen e sotme lidhur me vizitën e mundshme të Kryeministrit Edi Rama në Serbi, gjatë muajit shkurt.
“Zoti Mrkiç, Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë mandat për të diskutuar në Beograd për Kosovën. Kohërat e Hoxhës kanë marrë fund! Të dashur miq, sot Beogradi njoftoi nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Ivan Mrkiç se Edi Rama do realizojë në shkurt vizitën e tij në Beograd, të shtyrë për arsye enigmatike nga muaji nëntor. Pas marrëveshjeve Prishtinë- Beograd të firmosura në Bruksel janë krijuar mundësi reale për një bashkëpunim të gjerë rajonal. Në këtë kontekst, Tirana dhe Beogradi duhet të bëjnë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjerë bilateral në interesin më të mirë të dy vendeve”, shkruan Berisha në një postim të tij në Facebook.
Në vijim ai shton se përfshirja e Kosovës në axhendën e takimit bilateral Tiranë- Beograd, siç njoftoi Mrkiç, është absolutisht e dënueshme.
Sipas ish-kryeministrit, Kosova e pavarur ka përfaqësuesit e vetë me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar dhe nuk mund të përfaqësohet nga asnjë përfaqësues i Shqipërisë apo ndonjë vendi tjetër për interesat e saj në Beograd. Berisha e mbyll qëndrimin e tij duke thënë, “Zoti Mrkiç dhe Edi Rama duhet ta dinë mirë se kohërat kur Beogradi diskutonte me përfaqësuesit e Shqipërisë për Kosovën kanë marrë fund”.