“18 foshnje të vdekura u hodhën në Lepenc”
Njazi Ademi rrëfen për tmerrin që pa gjatë luftës në Bllacë. Burrat rreshtoheshin krah për krah, duke krijuar një dhomë të improvizuar kur lindte një femër.
Ademi nga fshati Petrovë i Shtimes, i cili kishte parë e përjetuar tmerret më të zeza në jetën e tij, në kampin famëkeq të Bllacës, ku kishte qëndruar prej 31 marsit deri më 6 prill të vitit 1999, shprehet për “Kosova Sot” se kishte parë vdekjet me sy, rrahjet, zhdukjet, torturat dhe maltretimet e vazhdueshme, hedhjen e ujërave të zeza në vendin ku qëndronte turma e refugjatëve
Të shohësh tmerrin me sy. Të përjetosh molisjen e shpirtit nga trishtimi që të kanë parë sytë. Në këso gjendjeje jeton sot, krejt pas 14 vjetësh, Njazi Ademi nga fshati Petrovë i Shtimes, i cili kishte parë e përjetuar tmerret më të zeza në jetën e tij, në kampin famëkeq të Bllacës, ku kishte qëndruar prej 31 marsit deri më 6 prill të vitit 1999. Si dëshmitar i rastit, Njaziu aty kishte parë vdekjen me sy, rrahjen, torturat dhe maltretimet e vazhdueshme, hedhjen e ujërave të zeza në vendin ku qëndronte turma e refugjatëve, marrjen e 66 personave dhe zhdukjen e tyre, për të mos u gjetur më kurrë, as gjer sot. Janë disa nga kujtimet e tmerrshme që i shfaqen edhe sot e kësaj dite Njaziut, i cili atë kohë ishte edhe përgjegjës për refugjatët që kalonin në Maqedoni. Për këto që përjetoi Njaziu dhe kosovarët tjerë, le të shohim si filloi e gjitha, për të vazhduar me këtë ngjarje edhe herë të tjera./Kosova sot/