15 vjet nga masakra e Reçakut
Masakër që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Kjo është masakra Reçakut e cila ka ndodhur më 15 janar të virit 1999, ku u vranë mbi 45 civil shqiptarë.
Para 15 viteve ndodhi Masakra e Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptar në mesin e tyre edhe 8 pjesëtarë të UÇK-së. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Miloshevicit.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mosuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelarit e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës.
Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.
Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.
Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionar dhe diplomat të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës.
Në 15 vjetorin e kësaj masakre në Reçak do të qëndrojë presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku do të bënë homazhe në Kompleksin Memorial. Përveç presidentes, në Reçak të Shtimes do të qëndrojë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputeti Rexhep Selimi, së bashku me një delegacion nga Qendra e Shtimes së Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse, në Prishtinë do të organizohet një akademi përkujtimore.