Kalo te lënda

Tirana e Prishtina, ta ftojnë edhe Shkupin

shkupi-300x175Përkundër retorikës kombëtare, takimi i dy qeverive në Prizren, në fakt nuk e kishte këtë karakter, por u shfrytëzua thjesht për marketing politik, vlerëson analisti politik nga Prishtina, Fadil Lepaja.
Ai mendon se Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të mbajnë takime të ngjashme edhe me shtetet tjera përreth, sidomos me Maqedoninë, si një uverturë për një bashkëpunim më të mirë në rajon dhe për të zgjidhur sa më shpejtë të gjitha problemet dhe fytet e ngushta në bashkëpunimin mes tyre.
“Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë duhet të krijojnë një strategji të përbashkët se si të faktorizohen dhe të realizojnë të drejtat që u takojnë në këtë vend dhe njëkohësisht të kontribuojnë për një hapje sa më të madhe mes vendeve të rajonit, sepse kjo është edhe në interesin e tyre”, ka thënë Lepaja, për “Zhurnal”.
Edhe në Maqedoni, partitë shqiptare sa herë janë thirrur në nacionalizëm, zakonisht kanë mbuluar diçka tjetër dhe e vetmja politikë e sinqertë e tyre mund të jetë bashkëpunimi rreth çështjeve të drejtave qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, pavarësisht dallimeve të tjera eventuale, pavarësisht se a janë në pozitë apo në opozitë.
“Kështu, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, mund të mbështesin kërkesat qytetëruese të shqiptarëve në Maqedoni, por jo edhe të marrin rol paternalist duke shkuar përtej asaj që vet shqiptaret e Maqedonisë janë dakorduar apo kanë kërkuar seriozisht. Është në interesin e shqiptarëve kudo që janë në Ballkan që marrëdhëniet ndërshtetërore të liberalizohen dhe bashkëpunimi të rritet. Sa më pak probleme me fqinjët aq më mirë paraqitet gjendja e përgjithshme e kombit”, ka thënë Lepaja.
Sipas tij, kjo natyrisht nuk do të thotë se shqiptarët duhet të ulin kokën dhe të pranojnë të jetojnë në rrethana ku u shkelen të drejtat dhe liritë njerëzore dhe qytetare, por për to duhet të angazhohen me mjete dhe metoda demokratike.

Lini një koment