Jahjaga kërkon përgatitje të duhur për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilin bisedoi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
Presidentja Jahjaga u njoftua nga kryetarja e KQZ-së, Daka, për aspektet organizative dhe përgatitjet që duhet të kryhen nga KQZ-ja për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.
Presidentja Jahjaga theksoi se i gjithë procesi i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut duhet t’i përmbahet ligjeve të Kosovës që përcaktojnë rrethanat dhe mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Ajo tha se të gjitha institucionet e mandatuara për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve duhet të përgatiten sa më mirë për një proces të drejtë dhe të lirë të zgjedhjeve.