“Hiqeni internetin sa nuk na ka shkatërruar”
Një suedez ka dërguar një letër në një gazetë të njohur në vendin e tij, përmes së cilës ka kërkuar ndërprerjen e internetit në botë, sepse sipas tij, i bën dëm njerëzimit duke i bërë njerëzit të humbur dhe të palumtur.
73-vjeçari Bo Bergman, i cili nuk i do kompjuterët dhe teknologjinë, bën jetë të qetë në Simlangsdalen, larg internetit dhe telefonave.
Letra që ia ka dërguar gazetës Hallands Posten ka nxitur debate të ndryshme në Suedi nëse ai ka të drejtë.
“Propozimi im është që të hiqet interneti. Është tepruar shumë me të, saqë të gjithë do të përgjigjeni një ditë. Hiqeni internetin derisa nuk na ka shkatërruar të gjithëve”, ka shkruar mes tjerash Bo, transmeton Telegrafi.
Ai ka shtuar se interneti është bërë pjesë e pandashme e civilizimit modern dhe për këtë arsye shoqëria nuk mund të gjejë lumturinë e vërtetë. Sipas tij, interneti është shumë i rrezikshëm për njerëzimin dhe lumturinë e njerëzve.
“Interneti është si krimbi në mollë dhe na ha nga brenda dhe dominon tërësisht në jetën tonë”, ka theksuar ai.