VV: Prokuroria e shtetit t’i hetojë krimet dhe shkeljet në PTK
Lëvizja “vetëvendosje”, në një konferencë shtypi, të hënën, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që t’i hetojë krimet dhe shkeljet në PTK. Përfaqësuesit e këtij subjekti Visar Ymeri, kryetar i Grupit Parlamentar, si dhe Ismet Hamiti, drejtues i Komitetit për Telekomunikacion, në VV, kanë vlerësuar se PTK-ja i është nënshtruar një procesi sistematik të shkatërrimit dhe të uljes së vlerës.“Që nga viti 2010 qeveria e atëhershme e Thaçit i kishte ndalur dhe kufizuar të gjitha investimet substanciale për zhvillimin e kompanisë, derisa vazhdimisht kishte vjelë dividendin nga kjo kompani, duke ia bërë kështu edhe financiarisht të pamundur investimin në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, thotë një komunikatë e VV-së, pas konferencës, duke përmendur disa projekte të mbetura “qëllimisht në gjysmë”.
“Përveç ndaljes së investimeve, PTK-ja me urdhër politik ka nënshkruar kontratë shumë të dëmshme me operatorin virtual ‘Z Mobile’, që ia ka dëmtuar shumë potencialin financiar kompanisë, duke ia falur kështu një pjesë të profitit operatorit virtual. Aparati shtetëror, asnjëherë nuk ka ndërhyrë në ndalimin e operatorëve ilegalë, të cilët ia ngushtonin tregun Valës 900 pa i kryer asnjë prej obligimeve ndaj shtetit të cilave u nënshtrohej operatori në pronësi publike”, theksohet më tej. Për këto dhe dhjetëra akuza të tjera që e kanë dëmtuar PTK-në, VV-ja ka kërkuar nga organet e sundimit të ligjit që të hetohen të gjitha keqpërdorimet në sektorin e telekomunikacionit, në tërë periudhën e pasluftës, përfshirë edhe procesin e fundit të privatizimit.
“ Keqpërdorimet janë të shumta dhe lehtësisht të dokumentueshme, por duhet vetëm vullnet për këtë. Ne jemi të gatshëm për të dhënë fakte e dëshmi për krimet e rënda që janë bërë në këtë sektor në tërë periudhën e pasluftës”, thekson VV-ja.