Riaktivizohet partia më vjetër e shqiptarëve në Maqedoni
Një grup i intelektualëve shqiptarë pritet ta aktivizojnë sërish Partinë Prosperitet Demokratik (PPD), subjekti më i vjetër i shqiptarëve në Maqedoni.
Ish- zëvendëskryetari i PPD-së, Muhamed Halili ditë më parë paralajmëroi se, kjo parti sërish do të shfaqet në skenën politik në Maqedoni.
Ai bëri të ditur se seanca për themelimin ose riaktivizmin e këtij subjekti do të mbahet në fund të këtij muaji.
Analistët dhe njohësit e zhvillimeve në Maqedoni mendojnë se, riaktivizimin i PPD-së, do të ofrojë një balans mes BDI-së dhe PDSH-së.
Analisti politik Albert Musliu thotë se, për dallim nga blloku politik maqedonase, në skenën shqiptare, terreni për një parti të re është shumë më i ngushtë, transmeton Ina.
“Ri-startimi i PPD-së për të qenë parti e fuqishme sikur më parë, është pak e vështirë. Ata tashmë duhet të tërheqin kuadro të reja, dhe jo rikthimin e figurave të vjetra”, thotë Musliu.
Sipas profesorit, Nikolla Dujovski, në bllokun politik shqiptar mungon siç thotë ai “krahu intelektual i shqiptarëve”.
“Riaktivizimi i PPD-së do të ofrojë një balans mes BDI dhe PDSH-së, dhe kjo është një gjë e mirë”, shprehet Dujovski.