Kalo te lënda

Mazrekajt mashtrojnë edhe familjen Duli

fotoG1H8V7MJKeqpërdorimi i gazetarëve dhe stafit të gazetës “Bota Sot” nga vëllezërit Xhevat e Xhevdet Mazrekaj nuk është skandali i vetëm i tyre.

Botuesit e kësaj të përditshme, (botues i edicionit për perëndim Xhevdet Mazrekaj dhe i edicionit për Kosovë Xhevat Mazrekaj) kanë arritur që “me sukses” ta mashtrojnë edhe një qytetar të rëndomtë i cili në fakt nuk ka asnjë lidhje me median.

Në maj të vitit 2009 botuesi i “Bota Sot” për Kosovë, Xhevat Mazrekaj, ka bërë një kontratë dhjetëvjeçare me familjen Duli nga Fushë Kosova për t’i vendosur me qira disa makina të rënda (makina të shtypshkronjës) në pronën e tyre, por që më pas pothuajse janë tërhequr nga kontrata, ndërkaq, depot e ndërtuara nga familja Duli për këto makina kanë mbetur të bllokuara për rreth pesë vjet.

Më saktësisht, Mazrekaj e ka paguar vetëm qiranë e parë në vlerë prej 800 eurove, dhe asnjë cent më shumë, ndërkaq, Xhevat Mazrekaj vazhdimisht i ka ikur përgjegjësisë.

Ky është versioni i kryefamiljarit Ramiz Duli, i cili lojën e Mazrekut e dëshmon me një “krahë” dokumente, përfshirë edhe ato që dëshmojnë procesin gjyqësor.

“Kemi bërë kontratë tek avokati. Jemi marrë vesh që ta ndërtojë një objekt të ri, e kam bërë për një muaj, punëtorët e Xhevatit i kanë sjellë disa makina të cilat ka thënë se më shumë i kam për pjesë, por kam të tjera makina, edhe një muaj ma ka paguar, por asgjë më shumë”, nisë rrëfimin Duli.

Ai thotë se më pas Mazrekun e ka takuar disa herë në selinë e gazetës “Bota Sot”, është përpjekur ta bindë që t’iu përmbahet kontratës, por gjithçka i ka shkuar huq, ndërkaq, së fundi ka vendosur t’i drejtohet gjykatës, ta padisë Mazrekajn dhe njëkohësisht t’i kërkojë gjykatës që t’ia lirojë objektin duke i larguar makinat në fjalë.

“U bënë tre muaj, edhe vazhdimisht e lusja, eja e largoi makinat, mendoja që ai intelektual nuk gënjen, por më gënjente vazhdimisht. Pastaj, e kuptova që është mashtrim, shkova e morra një avokat dhe e padita. Më pas gjykata e shtynte rastin me arsyetimin se Xhevat Mazrekaj nuk ka adresë, a unë shumë shpesh pata shkuar në ‘Bota Sot’, do me thënë unë ia dija adresën e gjykata jo”, tregon ai.
Duli thotë se nuk ka qenë e paqëllimshme fakti që gjykatësi i Gjykatës Themelore Lekë Prenaj e ka zvarritur procesin, ndërkaq, kujton se njëherë iu ka drejtuar atij duke e pyetur nëse Mazrekaj e ka korruptuar që t’ia bëjë këtë favor.

Pas disa seancash, Gjykata ka marrë vendim që t’ia hedhë poshtë padinë Dulit dhe të vendosë në të mirë të Mazrekajt, ani pse familja Duli me të gjitha dokumentet dëshmonte se është palë e dëmtuar.

“Qe sa kohë po përpiqem t’i ndërtojë shkallët për të dalë në katin e dytë të objektit, por s’po kam si t’i bëjë nga makinat”, vazhdon Duli, duke shtuar se së voni i ka nxjerrë jashtë për të siguruar hapësirën e nevojshme për ndërtimin e shkallëve.

Si përfundim, avokati i kësaj familje ka bërë ankesë, ndërkaq, ka mbetur në shkalla e dytë të vendosë se çfarë do të bëhet me makinat e shtypshkronjës së vëllezërve Mazreku, dhe me pronën e familjes së Ramiz Dulit.

Dhe nëse gjykata nuk kryen punë, atëherë Duli thotë se e ka vetëm një rrugëdalje.

“Kam vendosur që nuk e zgjidhë gjykata këtë problem, të paguaj punëtor dhe t’i marrë ato makina e të shkojë t’i shkarkojë para gjykatës”, thotë ai, duke mohuar çdo mundësi që ato t’i shes, qoftë për metal, ngase, siç thotë ai, Xhevat Mazrekaj është mashtrues dhe më pas thotë se makinat kanë kushtuar pesëqind mijë euro, duke e futur atë në borxhe të madh.

Indeksonline është përpjekur të sigurojë një kontakt të Xhevat Mazrekajt për ta pyetur për rastin në fjalë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ish-gazetar të “Botës Sot” që nuk kanë dashur t’iu bëhet i ditur identiteti kanë thënë se askush nga ta nuk e di saktë se ku është Mazrekaj, përveç që nuk është në Kosovë, dhe çfarë numri të telefonit ka. /Indeksonline/

Lini një koment