Kosovës i lejohen miqësoret
Pritjes së gjatë i erdhi fund.
Më në fund, Përfaqësuesja e Kosovës do të thyejë izolimin pasi ka marrë leje nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, ka njoftuar e përditshmja sportive franceze L’Equipe.
Këshilli për Çështje Urgjente i FIFA-s ka marrë të hënën vendimin se përfaqësuesja e futbollit e Kosovës mund të luajë ndeshje miqësore.
Tre ditë pas takimit të dytë trepalësh në selinë e FIFA-s në Zyrih ndërmjet krerëve të FIFA-s, të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Federatës së Futbollit të Serbisë, ka ardhur lajmi i mirë për FFK-në.
FIFA ka lejuar një vit më parë që përfaqësueset e ekipeve të moshave të Kosovës të zhvillojnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, ndërsa përfaqësuesja A nuk ishte lejuar pasi Serbia ishte krejtësisht kundër diçkaje të tillë, me preteksin që nuk mund të luajë një përfaqësuese e një vendi që nuk ka emblemë e flamur.
Kosova mori atë që deshi mirëpo gjatë ndeshjeve miqësore nuk do të ketë të drejtë të ketë himn dhe flamur, për një periudhë të caktuar, si dhe nuk do të mundë të luajë kundër shteteve nga Ish-Jugosllavia.