Djali i Enver Hoxhës takon enveristët në Ferizaj
Familja e Enver Hoxhës do t’i jetë mirënjohës gjithmonë Ferizajt”, ka thënë djali i Enver Hoxhës, ish-diktatorit komunist, Iliri, i cili së bashku me bashkëshorten Teutën ka vizituar selinë e njohur edhe si ‘Mini-Muze i Frontit për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës’, një formacion që vite më parë është formuar në Ferizaj.
Në këtë takim, ku nuk u kursyen as këngët dhe fjalët, frontisët janë ndier të emocionuar në takimin me pjesëtarët e familjes Hoxha, ndërsa kryetari i këtij formacioni, profesori i sociologjisë Remzi Hasani ka sjellë një kronologji të aktiviteteve të Frontit, duke thënë se “që nga paslufta, në Ferizaj, janë shënuar përvjetorët e Xhaxhit Enver, ndërsa në Ferizaj, edhe pse jo zyrtarisht, një shesh mban emrin e tij”, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, edhe pas kaq vitesh nga ndarja fizike, fryma e Enverit ndihet kudo në Ferizaj e më gjerë, meqë është një personalitet që ndërtoi shtetin modern shqiptar dhe i dha shtysë zhvillimit të shtetit në shumë sfera me interes për kombin.
Kjo vizitë, e cila sipas Hasanit ka rastis me përvjetorin e formimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, tregon, sipas tij, më së miri se familja Hoxha do të jetë gjithmonë në zemrat e tyre.
Ilir Hoxha, pasi ka ngrehur dollinë me frontistët e Ferizajt, ka përmbledhur në vija të trasha angazhimin e babait të tij për shtetin dhe për shqiptarët në përgjithësi, duke u ndalë në veçanti në vitin 1981, “vit në të cilin ishin shfaqur haptas kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për Republikë dhe se Enveri ishte vënë në mbrojtje të demonstruesve dhe në përkrahje serioze të këtyre kërkesave që shtroheshin”.
Këto ngjarje, sipas tij, ndikuan në zhvillimet e mëvonshme politike dhe kulmuan me luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe mundësuan ecjet tjera nëpër procese që çojnë drejt bashkimit kombëtar.
Fronti për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës, është një formacion politik, për të cilin u tha se, tashmë, ka Byronë Politike prej 25 anëtareve, 6 prej të cilëve vijnë nga viset jashtë Kosovës.
Ky formacion po përgatitet për mbajtjen e Kongresit të parë dhe konstituimin e organeve drejtuese, për të kaluar më pastaj me selinë e tij në Prishtinë.(KosovaPress)