Kalo te lënda

Degët e LDK-së mbështesin Mustafën

f1_13mustafa-logo-jpg1389628010Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pati të hënën një takim me kryetarët e degëve të LDK-së, me të cilët bisedoi për parapërgatitjet që po bëhen në të gjitha degët për zgjedhjet e ardhshme nacionale, të cilat do të mbahen gjatë këtij viti.

Mustafa ka përsëritur se LDK-ja nga zgjedhjet e fundit lokale ka dalë më e fuqishme dhe më e konsoliduar, duke qenë, sipas tij, “i vetmi subjekt politik që ka shënuar rritje të konsiderueshme të votës së qytetarëve”.

“Zgjedhjet e porsambajtura lokale ishin dëshmi e organizimit të mirë të LDK-së, e rritjes së saj dhe e besimit të qytetarëve në vizionin e LDK-së. Rezultati i përgjithshëm i arritur në këto zgjedhje është një garanci e fuqishme se LDK-ja, edhe në zgjedhjet nacionale do të arrijë rezultate të tilla dhe do të jetë forcë qeverisëse e vendit”, pohoi Mustafa, transmeton Koha.net.

Në këtë takim u diskutua për specifikat e procesit zgjedhor në nivel nacional, si dhe për gatishmërinë e të gjitha degëve të LDK-së për t’u mobilizuar edhe më shumë, në mënyrë që fitorja e LDK-së të jetë sa më bindëse.

Ndërkaq, kryetarët e degëve ripohuan mbështetjen e tyre të plotë dhe të anëtarësisë së gjerë të LDK-së për punën e Kryesisë së LDK-së dhe, siç thuhet në komunikatë, “posaçërisht të Kryetarit Mustafa, të bindur se me udhëheqjen e tij LDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet nacionale dhe do të marrë mandatin për të qeverisur me përgjegjësi, me seriozitet dhe kompetencë profesionale, që, për fat të keq, i ka munguar vendit gjatë gjithë qeverisjes aktuale”.

Lini një koment