“Brukseli jep alarmin: Ekonomia shqiptare, drejt krizës”
Tiranë, 12 Janar 2014 NOA.al – Ish kryeministri Sali Berisha, thotë se ekonomia e vendit është duke shkuar në krizë dhe citon për këtë shqetësim, Raportin e fundit të Komisionit Europian për ekonominë e vendeve të rajonit. Z.Berisha thotë se ky raport jep alarmin për ekonominë tonë dhe shton: “Për herë të parë në 8 vite, Shqipëria, në dallim nga të gjitha vendet e tjera të rajonit po ecën drejt krizës dhe përkeqësimit”. Raporti i Komisionit Europian, gjithnjë sipas citimit të z.Berisha, konstaton si një kercenim madhor rritjen nga qeveria Rama – Meta, me dekretin e gropës së tetorit dhe buxhetin e katastrofës së dhjetorit, të borxhit publik me 1 miliard e 400 milionë dollarë apo 3.2 herë më shume se në 8 vite të marra së bashku. “Raporti thekson uljen absurde nga qeveria të planit të të ardhurave në tatime dhe dogana, madje edhe nën planin e vitit 2012, dhe jo shkurtimin, por rritjen me 30% të shpenzimeve si faktorë të tjerë madhorë që shtyjnë ekonominë drejt skenarit grek të krizës ekonomike”, – evidenton deputeti demokrat, Sali Berisha. /a.b/noa.al/