Kalo te lënda

Shkollat, në hall me nxënësit problematikë

fotoEGYLKY9ADrejtues shkollash janë në hall me Udhëzimin administrativ që rregullon masat ndëshkuese ndaj nxënësve që krijojnë probleme në procesin mësimor.

Në fakt, ata janë shprehur se ky udhëzim nuk rregullon asgjë pasi kompetencat u janë lënë drejtorive komunale të arsimit e jo vetë drejtorëve të shkollave që përballen çdo ditë me sjelljet e nxënësve.

Osman Beka, drejtor i gjimnazit “Sami Frashri” ka thënë për KTV-në se ka pasur raste që as Drejtoria Komunale nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë aspekt dhe gabimet e problemet e nxënësve kanë mbetur të pa ndëshkuara e që si pasojë e kësaj janë përsëritur vazhdimisht.

Por ai ka informacion se janë bërë disa ndryshime të këtij udhëzimi, por ende nuk i është ardhur vendimi për zbatim.

Këshilltari në Ministrinë e Arsimit, Arbër Morina, ka thënë se ky udhëzim administrativ është i kompletuar dhe i parasheh të gjitha masat ndëshkuese për secilin nxënës që shkakton probleme.

Në fakt me këtë udhëzim masa më e ashpër ndëshkimore për nxënës të shkollave të mesme të larta, është: Pezullim më shumë se 1 (një) muaj i shqiptohet nxënësit, i cili nuk përmirësohet edhe pasi i janë shqiptuar masat si vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim, pezullim i përkohshëm nga garat, ekskursionet, vizitat, shëtitjet pezullimi për 3 ditë dhe pezullimi prej 1 (një) muaji, ose si masë e vetme.

Kjo masë shqiptohet në rastin e sjelljes së dhunshme, apo agresive, e cila nuk lejon vazhdimisht e procesit edukativo-arsimor dhe aftësues të nxënësve të tjerë, kur mungon më shumë se 32 orë pa arsye nga mësimi.

E drejtori i Arsimit i Prishtinës, Jusuf Thaçi, ka thënë se duhet të ndryshohet ky udhëzim pasi më i mirë do të ishte, sipas tij, një ndëshkimi më afatgjatë për nxënësit, sesa ndërrimi i shkollës, që do të përbënte tjetër sfidë për nxënien e dijes.

Lini një koment