Mitrovica veriore pa kryetar të verifikuar, mund të shkojë në zgjedhje
Mosnënshkrimi i deklaratës së betimit sipas ligjeve të Republikës së Kosovës nga Krstimir Pantiq, i cili është zgjedhur kryetar i Mitrovicës Veriore në zgjedhjet lokale të Kosovës, nënkupton që mandati i tij është i paverifikuar, kështu që krijon mundësinë e zgjedhjeve të reja për kryetar, shkruan Fonet.
Më herët, kusht për konstituimin e këshilltarëve komunalë serbë ishte që në deklaratat e betimit të mos kishte shenja të shtetit të Kosovës derisa shqiptarët e kërkonin të kundërtën – të mos kishte shenja të Republikës së Serbisë, por të Kosovës.
E, Pantiq, një ditë pas konstituimit të 4 komunave, ka thënë se në deklaratën e betimit të cilën ai nuk e ka nënshkruar, ka qenë stema e Kosovës me mbishkrimin Republika e Kosovës.
Krstimir Pantiq të shtunën ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovë, me arsyetimin se nuk dëshiron t`i sjell humbje shtetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj. Pos Pantiqit në mbledhjet konstituive nuk kanë dashur ta nënshkruajnë deklaratën e betimit edhe dy këshilltarë të Iniciativës qytetarës “Srpska”.