“Medvegja” jep 200 mijë euro për Shqipërinë dhe Kosovën
Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndihmojë shtetin shqiptar dhe atë kosovar me 200 mijë euro.
Kjo shoqatë, siç raporton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”, shtetit shqiptar 100 mijë euro do t’ia dedikojë për sanimin dhe rregullimin e rrethojave mburojë të Rrugës së Kombit,” në mënyrë që bandat dhe gomarët të mos pushtojnë autostradën”.
Shtetit të Kosovës, 86.800 mijë euro, sipas prijësve të shoqatës “Medvegja”, “do t’i ndahen për botime dedikuar nxënësve dhe studentëve si dhe oligarkisë intelektuale në mënyrë që përfundimisht të mësojnë ku edhe gjeografikisht shtrihet Medvegja, Presheva dhe Bujanoci, ndërkaq 13.200 euro të tjera i dedikohen projektit ‘Kthehuni’ si dhe trajtimit më adekuat të refugjatëve nga Lugina që kanë gjetur strehim në Kosovë e që duhet të trajtohen si Luginarë e jo legjionarë”.
Kryetari i shoqatës, Zenel Neziri njofton se vendimin përfundimtar për ndarjen e këtyre mjeteve do e marrë së shpejti kryesia e shoqatës në mbledhjen e saj të rregullt, që pritet të mbahet sa më shpejt. /Presheva Jonë/Telegrafi/