Konstituohen kuvendet komunale në veri të Kosovës
Në Zveçan, gjysmë ore para mesnatës, filloi seancën inauguruese e Kuvendit komunal – me dyer të mbyllura. Kuvendet komunale janë konstituuar edhe në tri komunat tjera të veriut të Kosovës.
RTS raporton se pas konsultimeve me përfaqësuesit e BE-së dhe kryetarët e zgjedhur të komunave të veriut, është arritur pajtimi që asambleistët të nënshkruajnë deklaratat sipas rregullave të qeverisjes lokale dhe të marrëveshjes së Brukselit.
Siç raporton Beta, në Zveçan ishin tetë asambleistë nga lista “Srpska”, pesë nga “Serbia, Demokracia, Drejtësia” e Oliver Ivanovicit, dhe nga një i PDK-së dhe AAK-së, transmeton Telegrafi.
Sipas RTS-it, gjatë inaugurimit nuk kishte simbole shtetërore, e as në deklaratat që janë nënshkruar. Ndërsa, gjithçka në të katër komunat është bërë me dyer të mbyllura.
Asambleisti i Zveçanit, Nebojsa Vlajic, ka thënë për Tanjug se kolegët e tij dhe kryetari i tij Vucina Jankovic nuk kanë nënshkruar diçka ku kishte simbole, por se te pjesa e sipërme ishte e ngjitur diçka nën të cilën nuk mund të shihej se çfarë ka.
“Jam munduar ta heq, por pa dëmtim nuk mundesha. Mendoj se ishte neutrale ndaj statusit”, ka thënë ai, duke shtuar se shqiptarët kishin letrat me simbolet e shtetit të Kosovës.
Ndryshe, në një prononcim me telefon për RTV21, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se “procedura e inaugurimit të asambleve komunale dhe e betimit ka përfunduar me sukses në Zubin Potok, sipas ligjeve të Kosovës, ndërkohë që në tri komunat tjerat ende është duke vazhduar procesi”.
Deklarata e saj është dhënë pas raportimeve të mediave serbe, gjë që pranon edhe vet se nuk është e informuar saktë se çfarë po ndodhë në veri të shtetit, transmeton Telegrafi.
“Procesi është në rrjedh e sipër. Sigurisht që mbahen kaq vonë tregon se kjo nuk ka qenë e lehtë të realizohet. Por, meqë është në rrjedh e sipër duhet të presim rezultatin final që të japim vlerësim final. Në bazë që qartësisë të BE-së, që ishin me përfaqësuesit e këtyre komunave, jemi në pritje që gjithçka të kryhet sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe marrëveshjes së Brukselit. Në Bruksel kishim qartësi dhe angazhim që procesi të kryhet në mënyrë ligjore”, ka thënë ajo. /Telegrafi/