Kabineti “Rama” niset drejt Prizrenit
(E plotësuar) Ministrat e kabinetit “Rama” u nisën sot rreth orës 08:00 të mëngjesit, me autobus drejt Prizrenit, për t’u takuar me homologët kosovarë, në orën 11:00.
Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë zgjedhur pikërisht Prizrenin për të krijuar lidhjen e ngushtë mes dy qeverive e dy vendeve. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, dy kryeministrat, në prani edhe të kabineteve respektive, do të firmosin sot marrëveshjet e para, pas marrjes së mandatit të qeverisë së re shqiptare.
(Foto-TCH: Gjatë nisjes) Rama nuk la lënë pa postuar në Twitter rrugëtimin e tij për Kosovë.
“Rruges per Prizren me nje emocion te vecante. Ne 11.00 live tv mbledhja e perbashket e dy qeverive”, ka shkruar ai.
(Foto: Faksimili i kryeministrit Rama në rrjetin social, Twitter)
—-
Kryeministri Thaçi, ka deklaruar se takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët strategjike, me një qëllim dhe vizion – vizionin euroatlantik.
Kryeministri Thaçi në mbledhjen e 165-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka theksuar se takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.
“Nesër në Prizren ndodhë takimi i përbashkët, takimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë. Është dashur sakrificë shekullore brezash, që të ndodhte krejt natyrshëm ky takim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, i qeverive tona.
Ky takim përshëndetet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. Takimi i Prizrenit ëndrrën e shumë brezave e bënë realitet – theksoi Kryeministri Thaçi në mbledhjen e 165-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, një ditë para mbajtjes së Mbledhjes së Përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë”, ka pohur ai.
“U bënë gjashtë vite që në gjeografinë politike të Evropës, u lind një shtet i ri, shteti i Kosovës, ku edhe e kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve tanë me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, shtet demokratik. Kur vendi ynë mori atributin më të lartë të organizimit politik të krijimit të shtetit të pavarur”, ka pohuar ai.
Sipas tij Pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe e stabilitet për tërë rajonin. Prandaj, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet e rajonit. /Indeksonline/