Zhduken 210 mijë euro të qytetarëve në Istog
Banorët e pesë fshatrave të komunës së Istogut edhe më tutje nuk e dinë se ku përfunduan hiç më pak se 207 mijë euro që ata i patën grumbulluar në vitin 2005 për asfaltimin e rrugëve në fshatrat e tyre. Në atë kohë të gjithë projektin në fjalë e pati financuar Ministria e Infrastrukturës, ndërkaq paratë e banorëve u “avulluan” nga Komuna.
Në atë kohë që këmba e tyre mos të shkelte më në baltë, Komuna kishte kërkuar nga banorët e fshatrave Zallq, Saradran, Banjë, Dobrushë dhe Turbohoc që të mblidhnin shumë prej 300 mijë euro, shkruan Zëri.
Për të pasur asfaltin te dera e shtëpisë banorët e këtyre fshatrave kishin filluar të mblidhnin këto para edhe pse gjendja e tyre ekonomike ishte e vështirë. Për 437 familjet që jetonin në këto fshatra u caktua shuma nga 160 euro, kurse për 331 familjet e këtyre fshatrave e që jetonin në botën e jashtme u caktua shuma 416 euro që të participonin. Banorët ishin mobilizuar dhe brenda një intervali të shkurtër kohor, kishin grumbulluar shumën prej 207 mijë 834 euro e përafërt me atë që kërkohej.
Duke besuar se me këto mjete rrugët e fshatit do të asfaltoheshin, ata këto para që i grumbulluan me mund të madh i kishin derdhur në një xhirollogari bankare, ku prej aty shuma ishte transferuar në buxhetin e Komunës së Istogut. Se mjetet u grumbulluan dhe u pranuan nga shefi ekzekutiv i komunës tregon edhe një procesverbal i Komunës së Istogut i datës 20 dhjetor 2005. /Zëri/