Kalo te lënda

Shoku Tito dhe vrasësit e tij

imageFalë presionit të madh të Gjermanisë, Qeveria e Kroacisë u detyrua të arrestojë dy figura kyç të Shërbimit Sekret jugosllav: Josip Perkoviqi dhe Zdravko Mustaqi dyshohen të jenë organizatorë të një atentati ndaj një aktivisti kroat të diasporës. Ata po ashtu mund të kenë informata mbi vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. Perkoviqi dhe Mustaqi ende kanë ndikim në Kroaci, andaj ekstradimi i tyre në Gjermani është i pasigurt

Viti i Ri në Kroaci filloi me lajme spektakolare. Të mërkurën, më 1 janar 2014, policia arrestoi, mes të tjerëve, edhe Josip Perkoviqin dhe Zdravko Mustaqin, dy pleq që dikur mbanin funksione kyç në UDB, në Shërbimin Sekret të regjimit jugosllav të prirë nga Josip Broz Tito. Një gjykatës vendosi që Perkoviqi dhe Mustaqi të mbahen në paraburgim deri në ekstradimin e tyre në Gjermani, ku kërkohen për organizimin e vrasjes së një disidenti kroat. Por, të premten një gjykatë në Zagreb vendosi që Perkoviqi të lirohet nga burgu dhe ndaj tij vendosi disa masa: iu konfiskua letërnjoftimi, autoritetet nuk mund t’i lëshojnë pasaportë të re, nuk guxon të braktisë vendbanimin. Perkoviqi prej vitesh kërkohet nga drejtësia gjermane, ndërsa nga 1 korriku 2013 – me hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Europian – kundër tij ka hyrë në fuqi edhe fletarrestimi europian. Në kohën kur Kroacia ishte Republikë jugosllave Perkoviqi ka qenë funksionar i lartë i shërbimit sekret në Zagreb dhe në Beograd, në kryeqytetin e atëhershëm të Jugosllavisë. Zdravko Mustaqi, ndërkaq, ka qenë shef i Shërbimit Sekret të Jugosllavisë.Deri më tani Kroacia e ka bllokuar ekstradimin e Perkoviqit me arsyetime dhe mashtrime të ndryshme juridike. Tri ditë para se Kroacia të hynte në BE më 1 korrik 2013 Parlamenti miratoi një ligj, i cili ndalonte dorëzimin e shtetasve kroatë në shtete të BE-së nëse ata ndiqen për krime të kryera para vitit 2002. Kjo rregull i mundësoi Perkoviqit të jetojë i qetë në vilën e tij në lagjen prominente të Pantovçakut në Zagreb, ku gjendet edhe selia e presidentit të Kroacisë, e cila dikur ka qenë rezidencë e liderit jugosllav Josip Broz Tito.

Manovra juridike

Refuzimi i Kroacisë për t’ia dorëzuar Perkoviqin drejtësisë gjermane shkaktoi tensione disamujore mes Zagrebit në njërën anë dhe Brukselit e Berlinit në anën tjetër. Kroacia u fajësua se nuk respektonte parimet themelore të BE-së dhe fshihte kriminelë. Në shenjë proteste kundër sjelljes së Zagrebit kancelarja gjermane, Angela Merkel, bojkotoi ceremoninë e anëtarësimit të Kroacisë në BE. Brukseli u kërcënua me sanksione dhe bllokoi miliona euro donacione. Presioni dha rezultat dhe Kroacia, një vend i vogël me 4,4 milionë banorë, lëshoi pe: Parlamenti i quajtur Sabor vendosi në shtator të ndryshojë Ligjin për ekstradim dhe ta harmonizojë atë me ligjet e BE-së. Duke filluar nga 1 janari 2014 fletarrestimi europian vlen edhe në Kroaci pa asnjë kufizim.
Megjithatë, nuk është e sigurt nëse Perkoviqi (dhe Mustaqi) do të ekstradohen në Gjermani. Këta dy agjentë me licenca për të vrarë mund të shpresojnë se do të gjejnë shpëtim në legjislacionin kroat, sipas të cilit vrasja parashkruhet nëse ka ndodhur para 25 vjetësh. Është e mundshme që Perkoviqi, 68-vjeçar, dhe shefi i tij i dikurshëm Mustaqi, 74-vjeçar, të nxirren para gjyqit në Kroaci dhe të shpallen të pafajshëm. Pastaj ata nuk do të mund të ndiqeshim më nga drejtësia gjermane për veprën e njëjtë. Avokati i Perkoviqit tha se klienti i tij do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të shmangur ekstradimin në Gjermani.

Atentat në Wolfratshausen

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Gjermanisë, Perkoviqi kishte angazhuar disa atentatorë për të vrarë Stjepan Gjurekoviqin. Menaxheri i ndërmarrjes jugosllave të naftës INA u arratis në prill të vitit 1982 përmes Austrisë në München të Gjermanisë, ku iu bashkua kritikëve kroatë të shtetit shumëkombësh jugosllav. Gjurekoviqi e përshkruante komunizmin si “mashtrim” dhe ishte kërcënuar se do të zbulonte disa afera korruptuese të funksionarëve të lartë komunistë. 15 muaj pas ikjes në Gjermani Gjurekoviqi u gjend i vdekur në qytetin Wolfratshausen të landit të Bavarisë. Vrasësit ia zunë pritën Gjurekoviqit në një garazh, i cili ishte shndërruar në shtypshkronjë. Këtu Gjurekoviqi dëshironte të kopjonte tekste kritike ndaj regjimit jugosllav. Një kroat, i cili ua kishte siguruar vrasësve çelësin për të hyrë në garazh, është dënuar në München në vitin 2008 me burgim të përjetshëm. Një ish-bashkëpunëtor i Shërbimit Sekret jugosllav, i cili ishte infiltruar në diasporën kroate, ka deklaruar për autoritetet gjermane se Josip Perkoviqi kishte qenë urdhërdhënës i vrasjes së Stjepan Gjurekoviqit.
Vendimi i gjykatës në München përmban 118 faqe dhe ofron një pamje domethënëse mbi veprimtarinë kriminale të shërbimit sekret jugosllav në Gjermani. Aty nënvizohet se regjimi i Josip Broz Titos “nga viti 1945 deri më 1989 ka vrarë 67 kroatë në Republikën Federale të Gjermanisë”. Gjykatësit gjermanë janë të bindur se deri në vdekjen e tij në maj 1980 “vetë” Tito i urdhëronte vrasjet në botën e jashtme. Viktima të vrasësve të regjimit të Beogradit nuk qenë vetëm disidentët kroatë: më 17 janar 1982 në Untergruppenbach afër Heilbronnit (Gjermani) u vranë tre aktivistë të njohur kosovarë të të drejtave të njeriut. Vrasësit e shkrimtarit Jusuf Gërvalla, vëllait të tij Bardhoshit dhe gazetarit Kadi Zeka, i cili banonte në Zvicrën lindore, nuk janë zbuluar ende. Në hetimet e zhvilluara nga Enti Kriminalistik i Gjermanisë në fillim të viteve 80 ka qenë e përfshirë edhe Policia Federale e Zvicrës. Pjesëtarë të familjes Gërvalla shpresojnë se ekstradimi i spiunëve të dikurshëm jugosllavë Perkoviq dhe Mustaq do të  hedhë dritë mbi vrasjet politike.

“Shtet brenda shtetit”

Fakti që autoritetet kroate deri më tani vendosmërisht e kanë mbrojtur Perkoviqin mund të shpjegohet me ndikimin e tij ende të madh në vend: kur u shpërbë Jugosllavia në fillim të viteve 90 gjenerali Perkoviq kaloi nga Shërbimi Sekret komunist në Shërbimin Sekret të kryetarit kroat Franjo Tugjman. Kështu Perkoviqi vazhdoi të jetë figurë kyç në aparatin e sigurisë së Republikës së Kroacisë, e cila luftonte për pavarësi nga Jugosllavia. Gjatë luftës së viteve 90 ai kontrolloi jo vetëm Shërbimin e Kundërspiunazhit të Ushtrisë Kroate, por edhe blerjet ilegale të armëve dhe municionit. Perkoviqi me gjasë ka shumë informata mbi qarkullimin e parave, mbi veprimtaritë kriminale, mbi politikanët e korruptuar kroatë dhe mbi privatizimet e dyshimta që nga pavarësimi i Kroacisë nga Jugosllavia para më shumë se dy dekadave. Informatat e tij mund të jenë të rrezikshme për shumë politikanë. Dhe jo vetëm informatat e tij: i biri i Perkoviqit, Sasha, po ashtu di shumë për kapitujt e errët të historisë më të re kroate: Sasha Perkoviqi i ka shërbyer si këshilltar për siguri si presidentit shumëvjeçar Stjepan Mesiqit, ashtu dhe atij aktual, Ivo Josipoviqit. Një ekspert i sigurisë në Zagreb thotë se “Perkoviqët janë shtet brenda shtetit”. Indikative ishte se pas arrestimit të Perkoviqit presidenti Josipoviq dhe ministri i Drejtësisë, Orsat Mileniq, nuk përmendën ekstradimin në Gjermani, por vetëm thanë se kjo është punë e drejtësisë. Duket se në Kroaci vrasësit e Titos ende gëzojnë imunitet.

Vrasja e Selim B.

Duke qenë funksionarë të rëndësishëm të shërbimeve sekrete jugosllave Perkoviqi dhe Mustaqi mund të kenë informata edhe mbi atentatin kundër Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe rrjetin e informatorëve shqiptarë që mund t’i kenë ndihmuar UDB-së në aspektin mbase jo vetëm logjistik në kryerjen e krimit. Në këtë kuadër në qarqet e sigurisë në Gjermani e Zvicër qarkullon edhe emri i Selim Broshës, një zyrtar i lartë i Sigurimit Shtetëror jugosllav dhe i ngarkuar për mbikëqyrjen e emigracionit shqiptar në Perëndim. Brosha nuk mund të merret më në pyetje nga autoritetet e drejtësisë, sepse ai është vrarë në Prishtinë në shtator të vitit 2000. A u vra Brosha nga ata “politikanë” shqiptarë që frikësoheshin se ai do t’i diskreditonte me informatat e tij, mbetet pyetje për historinë dhe për drejtësinë gjermane. Ajo ende nuk e ka mbyllur “dosjen Gërvalla dhe Zeka”. Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, nuk kanë mbledhur deri më tani asnjë të dhënë mbi atentatin më të madh politik në historinë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Derisa Brosha është vrarë, informatorë të tjerë shqiptarë të UDB-së po përpiqen t’i “pastrojnë” biografitë e tyre, duke u hequr si patriotë, intelektualë, veprimtarë e atdhetarë./kohanet/

robelli@bluewin.ch

Lini një koment