Petroviq, Ahmetit: Kthe flamurin
Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal u ka sqaruar komunave se simbolet shtetërore të Kosovës janë të obliguara të vendosen në hyrje të ndërtesave të komunave, në zyrat e kryetarëve dhe në sallat e asambleve komunale. Shpjegimi zyrtar i Ministrisë vjen pas një kërkesë për sqarim që kishte bërë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti se ku është e obligueshme ligjërisht të vendosen simbolet kombëtare.
”Sa i përket përdorimit te flamurit shtetëror ne mjediset e brendshme, meqenëse Kuvendi i Komunës dhe Kryetari i Komunës, janë organet kryesore të Komunës, flamuri shtetëror duhet te vendoset edhe ne mjediset e brendshme, konkretisht, ne sallën e Kuvendit te Komunës dhe ne zyrën e Kryetarit te Komunës. Flamuri shtetëror mund te vendoset edhe ne mjedise tjera te brendshme te zyrave publike dhe ne këto raste, flamuri qëndron ne te djathte te vendit kryesor apo ne tavolinën e punës”, thuhet në përgjigjen e MAPL.
”Kushtetuta e Republikës se Kosovës përcakton se simbole shtetërore janë: Flamuri, stema dhe himni. Prandaj, të gjitha institucionet shtetërore dhe publike obligohen të përdorin simbolet shtetërore ashtu siç përcaktohet me nenin 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në përgjigje.
MAPL ia ka bërë të qartë Shpend Ahmetit se nëse nuk i respekton simbolet shtetërore atëherë do të merren masa ligjore dhe kushtetuese ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë simbolet shtetërore.
”Ne rastin konkret, flamuri shtetërore është i obligueshëm të vendoset ne mjediset e brendshme dhe te jashtme te institucioneve shtetërore dhe publike, prandaj, flamuri dhe sterna detyrimisht duhet te vendosen ne hyrje te ndërtesës së Komunës”.