Ngërçi i parë i Shpend Ahmetit
Asambleja Komunale e Prishtinës ende s’e ka caktuar Kryesuesin për shkak se Lëvizja vetëvendosje nuk e ka shumicën e këshilltarëve komunal.
Kështu, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu ka thënë se janë duke pritur partinë më të madhe në Prishtinë, LDK’në, që të bëjë propozimin për Kryesuesin e e Asamblesë.
“Ne jemi në pritje të subjektit më të madh të na tregoj se kënd e kanë ndërmend të kandidojnë për Kryesues. Ata ende s’kanë vendosur”, ka thënë Sejdiu, në emisionin e mëngjesit në televizionin publik, transmeton Express.
“Dhe, në pritje të kësaj ne nuk mund të flasim më shumë. Pra, ne jemi në pritje të Kryesuesit. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me Kryesuesin”, ka shtuar ai.
LDK ka fituar në zgjedhjet e fundit 18 asamblistë apo tetë më shumë se VV’së dhe dhjetë më shumë se PDK’ja.
Pavarësisht se nuk kanë bërë koalicion dhe kanë vetëm dhjetë asambleistë, Vetëvendosje i ka vendosur edhe kushte LDK’së se kënd duhet ta propozoi për Kryesues të Asamblesë.
“Jemi të interesuar që personi që kryeson Asamblenë Komunale të jetë një person që dëgjon të gjitha palët. Ne jemi që Kryesuesi të jetë dikush që bashkon e jo ndanë”, ka shtuar ai.
Shpend Ahmeti ka fituar në zgjedhjet e fundit pozitën e Kryetarit të Prishtinës, ndërsa sot ka marrë përgjigjen e Ministrisë së Pushtetit Lokal se në zyrën e tij dhe në Asamble Komunale duhet të vendoset gjithqysh flamuri i Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, Shpend Ahmeti ka vendosur të mos bëjë koalicion me asnjë parti politike, por të qeverisë Prishtinën i vetëm, pavarësisht se shumica e vendimeve të tij duhet të marrin edhe lejen e Asamblesë Komunale.