Gruaja e zëvendësministrit Mustafa asistente pa master në Mjekësi
Bashkëshortja e zëvendësministrit të Arsimit, Nehat Mustafa, Afërdita Mustafa, duket se ia ka barë hairin faktit se burri i saj mbanë pozitë të lartë në Qeverinë e Kosovës.
Pavarësisht se niveli i saj akademik është bachelor, ajo po vazhdon pa problem të punojë si asistente në Departamentin e Infermierisë në Universitetin Publik të Gjakovës (UPGJ).
Në fakt, asistentja Mustafa deri tash ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, dega në Gjakovë, por pas themelimit të UPGJ-së ka kaluar në këtë institucion, meqenëse edhe vet dega e Universitetit të Prishtinës është bartur në universitetin në fjalë.
Rreth një muaj më parë rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i ka suspenduar katërmbëdhjetë asistent që ishin të angazhuar në Departamentin Infermieri-Mami të Fakultetit të Mjekësisë, me arsyetimin se, sipas tij, asnjëri nga asistentë nuk i ka të përfunduara studimet master.
Por, ai është treguar i pafuqishëm karshi bashkëshortes së zëvendësministrit Nehat Mustafa, edhe pse ajo nuk ka diplomë të studimeve master.
“Fakulteti i Mjekësisë në Gjakovë ka qenë dy vjet në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ndërsa sivjet kanë dalë universitet në vete, pra Universiteti Publik i Gjakovës. Afërdita Mustafa ka punuar për UP-në, por në Gjakovë e jo në Prishtinë, ndërsa në semestrin e parë kontratat janë bërë nga Universiteti i Prishtinës, sepse Universiteti Publik i Gjakovës nuk ka pasur të drejtë të zgjedh stafin. Pra, Afërdita Mustafa është e zgjedhur nga UP-ja për Gjakovën, në parim ajo është punëtore e Universitetit të Prishtinës”, ka treguar për Indeksonline një burim brenda Fakultetit të Mjekësisë.
Faktin se asistentja Mustafa nuk ka diplomë të studimeve bachelor e ka pranuar vetë bashkëshorti i saj, Nehat Mustafa, por ai ka mohuar se ka ndikuar tek drejtuesit e Universitetit të Prishtinës që bashkëshortja e tij të vazhdojë “aktivitetin akademik”.
“Fillimisht të them se gruaja ime nuk e ka masterin, është para përfundimit të masterit në Universitetin Shtetëror të Vlorës, ndërsa është angazhuar si asistente, nuk është asistente e rregullt por e angazhuar në Universitetin e Gjakovës dhe natyrisht as që e kam ditur kur është angazhuar, por e kanë angazhuare ish-profesorët e vet të cilët janë tash përgjegjës në Universitetin e Gjakovës, respektivisht në Departamentin e Infermierisë. Do të thotë që nuk ka pasur as ndikimin më të vogël unë si zëvendësministër për tu pranuar gruaja ime. Për ndryshe, si studente ajo e ka pasur notën mesatare mbi 9, në Universitetin Publik të Prishtinës”, ka thënë ai.
Ai është shprehur i sigurt se trajtimi i çështjes së bashkëshortes së tij është nxitur nga ndonjëri prej asistentëve të suspenduar nga rektori, prandaj, e ka komentuar edhe Universitetin Kristal, që vepron në Shqipëri, ku kanë marrë titullin master disa nga asistentët e suspenduar, titull ky që nuk është njohur nga Ministria e Arsimit dhe më pas as nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës.
“Është mendim i imi që e kam pasur në disa biseda me ish-ministrin dhe ish-zëvendësministrin e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, e të cilat unë i kam bërë disa herë publike nëpër medie. Kam thënë që Universiteti Kristal është njëra nga piramidat arsimore që ka ekzistuar në trevat mbarë shqiptare”, ka thënë ai, duke e konsideruar veprimtarinë e këtij universiteti sikurse veprimtaritë kriminale të njohur si “Piramidat e 97-tës në Shqipi”.
Zëvendësministri Mustafa thekson se do të ishte dëm për Kosovën, siç thotë ai, sikurse Kosova të bëhet lavatriqe e diplomave që merren në universitete të dyshimta.
“Kjo dëshmohet më së miri me rastin e djalit të politikanit të njohur italian, Umberto Bosit është pajisur me diplomë të Universitetit Kristal dhe ka rezultuar se diploma e tij është vetëm një vit pasi ka përfunduar provimi shtetëror i maturës, që do të thotë se nuk ka studime njëvjeçare bachelor dhe e dyta, pas hulumtimeve që janë bërë ka rezultuar se ai njeri asnjëherë nuk ka hyrë në Shqipëri, dhe kjo ka ndikuar pastaj që të ulet kredibiliteti i të gjitha universiteteve private në Republikës së Shqipërinë në vende të ndryshme të Evropës”, ka theksuar ai.