Deda: Marrëveshja e Brukselit nuk ka jetë të gjatë
Ilir Deda, drejtor i Institutit për kërkime dhe zhvillime të politikave, KIPRED, tha se Plani i Ahtisaarit ka nxitur ndërtimin e Kosovës si shtet qytetar, derisa Marrëveshja e Brukselit e ka ndarë Kosovën në pjesën shqiptare dhe në atë serbe.
“Bashkëpunimi i (Ivica) Daçiqit dhe (Hashim) Thaçit është rezultat i rrethanave. Ata janë duke u përpjekur për të zgjatur mbijetesën në qeveri, ndërsa BE-ja dhe SHBA-të duan ta përmbyllin këtë histori. Megjithatë, si të gjitha zgjidhjet e mëparshme në Ballkanin Perëndimor, edhe kjo nga Brukseli është afatshkurtër dhe gjysmake”, ka thënë ai për Blic, transmeton Telegrafi.
I pyetur për të sqaruar se çfarë do të thotë kjo ndarje, Deda ka thënë se kjo do të thotë “se me serbët në Kosovë do të menaxhojë Beogradi dhe Prishtina”.
“Është futur segregacioni politik dhe institucional në baza etnike. Edhe Beogradi e edhe Prishtina zgjidhjen afatshkurtër në këtë marrëveshje e shpallin ‘historike’, edhe pse ajo nuk hap mundësi të komunikimit mes popujve, pa të cilën nuk ka përparim të vërtetë”, tha ai.