Vrasja e 14-vjeçarit, të arrestuar dy Sekiraqë
(E plotësuar) Dy personat e arrestuar mbrëmë si të dyshuar kryesor për vrasjen e djeshme të 14-vjeçarit F.Krasniqi, në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku”, janë të familjes Sekiraqa.
Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës, kanë thënë se, i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçarit është një 17-vjeçar me mbiemrin Sekiraça.
Problemi mes familjes Krasniqi dhe asaj Sekiraqa, dyshohet që kishte nisur vitin e kaluar për shitblerjen e një prone në fshatin Mazgit të Obiliqit.
Në nëntor të vitit që lamë pas, Mustafë Krasniqi më të birin Flamurin, të cilët aktualisht ndodhën në qendrën e paraburgimit, dyshohet se janë autorët e vrasjes së 26-vjeçarit, A.Sekiraqa.
Ndërsa vrasja e ndodhur dje, sipas policisë, dyshohet që është bërë në shenjë hakmarrje nga familja Sekiraça.
Kjo e fundit, mbrëmë përmes një komunikate për media ka mohuar se qëndron prapa kësaj vrasje, duke e dënuar rëndë atë./Indeksonline/
—–
Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të 14-vjeçarit dhe plagosjes së një bashëmoshatari të tij, që ka ndodhur dje në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, në oborrin e shkollës fillore “Emin Duraku”, hetuesit rajonal të Prishtinës, mbrëmë kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar.
Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë, ka thënë për Indeksonline se, të arrestuar janë, L.S (mashkull) 17-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës (si i dyshuar kryesor për vrasje dhe plagosje ) dhe A.S (mashkull) 24 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës ( i dyshuar për bashkëveprim në kryerjen e vrasjes).
Me urdhër të Prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në qendrën rajonale të mbajtjes në Prishtinë, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin në fjalë.
Hetimet përkitazi me krimin janë duke u kryer intenzivisht nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës./Indeksonline/