Kalo te lënda

Osmani paralajmëron padi ndaj KEDS-it për faturën prej 3500 eurove

f1_09keds-jpg1389304151Të mërkurën Selajdin Osmani për një çast ka mbetur i shtangur, në momentin kur atij i erdhi fatura e energjisë elektrike. Osmani, me profesion kameraman, i cili ka një lokal shumë të vogël me dy kompjuterë, DVD dhe një ngrohëse elektrike, është alarmuar kur pa çmimin e asaj fature, e i cili ishte hiq më pak se 3500 euro.

Sipas KTV-së, ai ironizon duke thënë se po ta kishte një fabrikë, nuk do t’i shpenzonte aq kilovatë energji. I inatosur me këtë faturë, Osmani u është drejtuar zyrave të KEDS- it për të bërë ankesë, për një gjë të cilën e konsideron të pamundshme. Thotë ta ketë paguar borxhin për çdo muaj, derisa paralajmëron se do ta padisë këtë kompani.

Drejtues të KEDS-it, sipas tij, i kanë bërë thirrje që ta shlyejë këtë borxh, gjë të cilën nuk e ka ndërmend ta bëjë. Një inkasant i KEDS-it, i cili nuk ka pranuar të flasë para kamerës, i ka thënë KTV-së se ka mundësi që numrat e njehsorit digjital janë lexuar gabimisht. Ai shton se ka mundësi që gjatë shtatë vjetëve ora t’i jetë lexuar gabimisht.

Selajdini nuk është i vetmi i cili ankohet, ngase çdo ditë e më shumë po shtohen ankesat e banorëve të cilët kundërshtojnë çmimet e faturave të këtij muaji. Thonë se nuk kanë shpenzuar aq kilovat sa u ka ardhur faturat, që siç i quajnë, janë të fryra.

Ka edhe të atillë të cilët pohojnë se muajin e kaluar borxhin e kishin zero, derisa këtë muaj u ka figuruar edhe borxhi. Ankesa të tilla për fryrje faturash pati edhe në fillim vitin e kaluar, kur nga pakënaqësia pati edhe protesta të qytetarëve.

Lini një koment