Lista e qyteteve më të shtrenjta në botë, Prishtina nuk figuron askund
Sipas të dhënave të faqes Expatistan, që merret me krahasimin e kostos së jetesës në qytete të ndryshme të botës, del se Londra është aktualisht qyteti më i shtrenjtë në botë.
Harta paraqet qytetet ku shpenzimet e jetës janë më të mëdha: me të kuqen janë ato më të shtrenjtat, ndërsa me të gjelbrën më të lirat. Hartën interaktive mund ta shikoni këtu.
Edhe vitin e kaluar Londra ishte në maje të listës të qyteteve më të shtrenjta. Qiraja mujore e një banese të mobiluar në Londër është mesatarisht rreth 4250 dollarë; bileta mujore për transport publik rreth 215 dollarë, ndërsa floktari për meshkuj rreth 28 dollarë. Në listën e pesë qyteteve më të shtrenjta në botë janë edhe Oslo, Gjeneva, Cyrihu dhe New Yorku.
Në anën tjetër, qytetet ku jeta është më e lirë janë Karakasi në Venezuelë, pastaj Kalkuta, Hyderabadi, Pune dhe Madrasi në Indi. Për krahasim, jeta në Londër është nëntë herë më e shtrenjtë se në Karakas.
Në këtë listë gjenden edhe këto qytete të Ballkanit: Athina (89), Lubjana (102), Stambolli (11), Zagrebi (131), Beogradi (158), Bukureshti (161), Sofja (168), Shkupi (178) dhe Tirana (179). Ndërsa, mungojnë Prishtina (Kosova), Sarajeva (Bosnja dhe Hercegovina) dhe Podgorica (Mali i Zi).
Për krijimin e indeksit janë krahasuar çmimet e banimit, të veshjes, transportit, barnave, ushqimit…
Dhjetë qytetet më të shtrenjta në botë janë:
1. Londra, Mbretëria e Bashkuar
2. Oslo, Norvegji
3. Gjeneva, Zvicër
4. Cyrihu, Zvicër
5. New York , SHBA
6. Lozana, Zvicër
7. Singapori, Singapor
8. Parisi, Francë
9. San Francisko, SHBA
10. Kopenhaga, Danimarkë