Familja Sekiraqa-Maliqi: Nuk kemi dorë në vrasjen e 14 vjeçarit në Prishtinë
Familja Sekiraqa – Maliqi nga fshati Mazgit, ka reaguar ndaj aludimeve të medieve se dikush nga kjo familje, në shenjë hakmarrje, mund ta ketë vrarë sot të riun 14 vjeçar në oborrin e Shkollës Fillore “Emin Duraku” ne Prishtinë.
Në reagimin për media familja Sekiraqa – Mailiqi thotë se përmendja e familjes Sekiraqa, si autor të mundshëm të këtij rasti tragjik dhe qyqar, siç edhe është vrasja e një fëmiu, e ka lënduar rëndë këtë familje.
“Është shumë e vërtetë që në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarë të familjes Krasniqi, pjesëtarë i së cilës thonë mediat të jetë edhe fëmiu i vrarë sot, vranë në oborr të shtëpisë djalin tonë Amir Sekiraqa dhe plagosën rëndë babain e tij, Salihun dhe djalin e axhës Mehmet Maliqin. Por, ata u vetëdorëzuan një ditë më vonë dhe tani janë në paraburgim”, thuhet në reagimin e familjes Sekiraqa- Maliqi.
Familja Sekiraqa-Maliqi thotë se është në pritje të fillimit të gjykimit dhe beson në fuqishëm te organet e drejtësisë, se ajo do ta japë fjalën e saj për dorasin që kreu vrasjen në familjen e tyre.
“Ne familja Sekiraqa-Maliqi besojmë në këtë dhe nuk kemi zgjedhur asnjë rrugë tjetër. Edhe po të kishim zgjedhur rrugën a aluduar sot nga disa media, atë të Kanunit të Leke Dukagjinit , ajo nuk do të na çonte te një nxënës i pambrojtur. Por edhe sonte si ditën që humbëm vëllaun tonë, po të njëjtat media, nuk nguruan të përdhosin familjen tonë e cila është e respektuar si në plan të biznesit ashtu dhe atë të rrugës kombëtare”.
“E theksojmë edhe njëherë se familja jonë nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast tragjik dhe ndjen sonte keqardhje për humbjen e jetës së një fëmije sikurse çdo qytetar i Kosovës. Disa media sonte vranë për së dyti emrin e djalit tonë Amirit, i cili edhe vetë me profesion ka qenë jurist”, thuhet në reagimin e familjes Sekiraqa – Maliqi, e cila thotë se “siç besojmë në drejtësinë për djalin tonë, shprehim keqardhje për një jetë fëmiu të humbur sot”.
“Shprehim indinjatën tonë për disa media që sonte për bujë dhe lajm po na përdhosin për të dytën herë”, përfundon reagimi i familjes Sekiraqa-Maliqi. /Indeksonline/