Qeverisja nga Hashim Thaçi:Gjashtë vjet krim e korrupsion
Gjashtë vite të keqqeverisjes, të rritjes së nivelit të korrupsionit, të keqpërdorimit të parasë dhe pasurisë publike, të degradimit të ekonomisë së vendit, të nënshtrimit ndaj Serbisë, nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, të mërkurën janë cilësuar si suksese të mëdha.
Kështu konstatojnë analistët politikë dhe deputetët opozitar, të cilët konsiderojnë se për gjashtë vite sa ka qenë në pushtet Partia Demokratike e Kosovës, vendi jovetëm që nuk ka përparuar fare, por vetëm se është kthyer mbrapa. Shefi i qeverisë nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, të mërkurën ka folur për gjashtë vjet të qeverisjes së vendit nga PDK-ja, ndërkaq, ka përmendur dhjetëra suksese, që sipas tij, janë realizuar për gjashtë vjet. Këto komente ai i ka bërë një ditë para 9 janarit – që shënon datën kur partia që ai e drejton erdhi në pushtet. Gjatë një pronocnimi për Indeksonline, analisti politik, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mrekullitë siç mund të cilësohen ato që i ka përmendur kryeministri mund të jenë vetëm durimi dhe toleranca e votuesve kosovarë përballë keqqeverisjes së kryeministrit Thaçi, i cili, sipas tij, gjatë gjashtë viteve në pushtet nuk ka arritur as për së afërmi të dërgojë Kosovën drejt pritjeve dhe mundësive reale në ekonomi, në politikë dhe në shtetbërje.
“Ekonomikisht Kosova vazhdon të jetë një vend i varfër pa shpresë për rimëkëmbje, politikisht një vend jostabil dhe i varur ende nga Serbia, gjithmonë falë negociatave dhe kompromiseve pa përgjegjësi të kryeministrit në Veri, ndërkaq ndërkombëtarisht Kosova vazhdon të jetë në status-quo, pa mundësi lëvizje në relacion drejt BE-së apo Kombeve të Bashkuara. Kosova e sodit padyshim se nuk është as e përafërmja e pritjeve të para gjashtë viteve”, është shprehur ai. Profesor Abdixhiku thekson se e arritur do të ishte sikur sot, gjashtë vite pas pushtetit të kryetarit të PDK-së, Thaçi, të flitej për ulësen e Kosovës në Kombet Bashkuara, për liberalizimin e vizave, për Kosovën vend me investitorë e me siguri të investimeve, për Kosovën e vendeve të reja të punës, e zbutjes së varfërisë apo e rritjes të prodhimit.
“Në vend të tyre, Kryeministri thirret në simbolika antarësuese – të cilat ani pse të nevojshme nuk adresojnë as për së afërmi prioritetet e Kosovës”, thotë ai, duke shtuar se pikërisht për shkak të paaftësisë së tij për të menaxhuar shtetin, partia e tij ka rënë jashtëzakonisht në zgjedhjet e fundit.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se krejt ajo që shkruhet nga shefi i qeverisë në Facebook do të duhej të injorohej nga opinioni, ngase, sipas tij, gjithçka në profilin e kryeministrit është e pasaktë dhe e pavërtetë.
“Unë them se po, Thaçi ka qenë i suksesshëm, por fatkeqësisht ka qenë i suksesshëm në qeverisje të keqe”, ka thënë ai, duke pyetur se sa qytetarët e Kosovës janë duke jetuar më mirë tash sesa para gjashtë viteve. /Indeksonline/