Kalo te lënda

Sejdiu: Anëtarësia po kërkon që unë ta marr timonin e LDK-së (Video)

sejdiu-an-euml-tar-euml-sia-po-k-euml-rkon-q-euml-un-euml-ta-marr-timonin-e-ldk-s-euml_hdIsh presidenti i vendit dhe kryetari i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë se Isa Mustafa është fajtori kryesor për humbjen e Prishtinës, duke thënë se u dëshmua se kryeqyteti nuk mund të fitohet me duar në xhepa dhe me mallkime. Sejdiu tha se ka presion nga anëtarësia që të marrë udhëheqjen e partisë dhe thotë se në rastin e parë që do të krijohen rrethanat do të shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë e konsideron si përgjigje e elektoratit ndaj qeverisjes se liderit të LDK-së, Isa Mustafës, të cilin thotë se e kishte paralajmëruar qysh në janarin e vitit të kaluar për diçka të tillë.

“LDK ka fituar një numër të madh të komunave, por e ka humbur kryeqytetin. Ky është një sinjal alarmues për LDK-në dhe për këtë duhet të ketë një arsyetim. Humbja e Prishtinës nuk mund të arsyetohet”, ka thënë Sejdiu, në emisionin Interaktiv të KTV-së.

“Prishtina nuk mund të fitohet me duar në xhepa dhe ne mallkime”, ka thënë Sejdiu, duke potencuar se në Prishtinë janë humbur edhe shtatë mandate të këshilltarëve komunalë.

Thotë se Mustafës i ishte kërkuar që të mos kandidonte për kryetar të Komunës.

“Mustafa kishte arsyetuar kandidimin e tij me faktin se çdo kandidat tjetër do ta humbte Prishtinën dhe ka thënë se nëse do ta humbte Prishtinën do të jepte dorëheqje”, tha Sejdiu, duke tpotencuar se në degët e Prishtinës është duke u zhvilluar debat i thellë në të cilin po kërkohet fajtori  dhe përgjegjësia për humbjen në kryeqytet.

Ai thotë se i di mirë zhvillimet në parti, duke thënë se duhet të flitet hapur për humbjen në Prishtinë dhe t’i bëhet një analizë rezultatit të zgjedhjeve.

Fitoren e LDK-së në disa komuna të mëdha, Sejdiu nuk e sheh si meritë të partisë, por të kandidatëve.

Thotë se asnjëherë nuk ka kontestuar zgjedhjet në Kuvendin e Shtatë të LDK-së, pavarësisht mënyrës se si është zgjedhur Mustafa kryetar. Por, ka thënë se forma se si ka ardhur në krye të LDK-së Mustafa, “me mbështetjen e një pjese të klienteles së tij”.

“I papranueshëm ka qenë injorimi që i është bërë një pjese të njerëzve që kanë kontribuuar në LDK… Ka shumë njerëz në LDK që thirren në filozofinë e presidentit Rugova, kurse në fakt punojnë kundër asaj filozofie….”, tha Sejdiu.

Ai thotë se është i shqetësuar me mos zbatimin e reformës në LDK,duke kërkuar mobilizim në teren para zgjedhjeve nacionale.

I pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të LDK-së,i thotë se do të kandidojë, sepse anëtarësia po e kërkon këtë.

“Kam presion çdo ditë nga anëtarësia që sërish të kandidoj për kryetar të LDK-së. Në momentin e parë që do të kërkojnë proceset e LDK-së unë do të jem aty, i gatshëm të marrë udhëheqjen e paritisë”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se LDK-ja e ka ndihmuar Qeverinë Thaçi që të vazhdojë mandatin, duke mos qenë opozitë e mirëfilltë.

Duke folur për çështjen e vendeve të rezervuara në Kuvend, Sejdiu ka thënë se nuk e di nëse LDK-ja do të mbajë qëndrimin e saj që të mos lëshojë pe për vendet e rezervuara.

“LDK-ja është parti serioze dhe nuk do të duhej të luajë me qëndrimet e saj dhe t’i ndryshojë ato”, ka thënë Sejdiu. /Telegrafi/

 

Lini një koment