Kalo te lënda

Katër kërcënime për Eurozonën

foto3DYJN5LNViti i kaluar ishte më pak i trazuar për Eurozonën, që nga koha kur në Greqi shpërtheu kriza e borxhit në 2009. Spanja, Italia dhe Portugalia po dalin grtadualisht nga recesioni, ndërsa Greqia parashikohet të dalë nga recesioni 6-vjeçar pikërisht në këtë vit.

Sipas ekonomistëve 2014 do të jetë i qetë, por ende ekzistojnë disa kërcënime për bllokun e monedhës së përbashkët. Papunësia e lartë, lodhja e popujve nga masat shtrënguese dhe rritja anemike e ekonomisë përbëjnë recetën perfekte që partitë ekstremiste të fitojnë terren në zgjedhjet e Majit të Parlamentit Europian. Disa ekspertë parashikojnë se partitë anti-euro, si Fronti Kombëtar në Francë, partia UKIP në Britani, Syriza në Greqi dhe Partia e Lirisë në Holandë mund të fitojnë 20% ose më shumë të vendeve në Parlamentin Europian.

Një shqetësim tjetër është stres testi, ose testet e rezistëncës për sistemin bankar europian. Bashkimi Europian ka bërë pak progres në krijimin e unionit bankar. Banka Qendrore Europiane do të publikojë rezultatet e “shëndetit” të bankave më të mëdha në kontinent në Nëntor të këtij viti. Gjithsesi, pavarësisht rezultateve të stress-testeve, bankat vazhdojnë të shtrëngojnë kreditimin duke penguar rimëkëmbjen ekonomike.

Ndërkohë, gjykata Kushtetuese në Gjermani do të vendosë së shpejti mbi programin e blerjes së bonove nga Banka Qendrore Europiane, një mekanizëm ende i papërdorur për të mbrojtur Eurozonën. Dhe nëse gjykata merr një vendim kundër këtij mekanizmi, tregu i bonove do të “shënjestrojë” sërish vendet e dobëta të bllokut duke i “zhytur” ato në krizë. Shqetësim tjetër për investitorët gjatë këtij viti është gjithashtu situata aspak e mirë ekonomike në Francë, që cilësohet si zemra e Eurozonës.

Lini një koment