Kalo te lënda

Derisa bën deklarata të ulëta, kurrë s’do të vish në Gjakovë!

fotoKryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, i ka bërë “selam” ministrit serb pa portofol, Aleksandër Vulin, se nëse vazhdon të jap deklarata ofenduese për shqiptarët, këmbët e tij kurrë nuk do të shkelin në territorin e Gjakovës.

Një ditë pas ndalesës që ta vizitojë Manastirin e Gjakovës, Vulin, ka ofenduar qytetarët që kanë protestuar kundër ardhjes së tij, duke i cilësuar ata si “jonjerëz”.

“Ndoshta kanë qenë shqiptarë, nuk e di, por njerëz ju siguroj se nuk kanë qenë”, ka thënë ai për Radio Televzionin e Serbisë.

Ndërkaq, gjatë një prononcimi për Indeksonline, kryetarja Kusari-Lila ka thënë se deklarata si e tillë as që ia vlen të komentohet, ndërsa ka theksuar se me këtë deklarim ministri serb vetëm sa ka luajtur me ndjenjat e kosovarëve.

Ajo ka thënë se janë vetë deklaratat e Vulinit ato që i kanë nxitur dhe do t’i nxisin qytetarët që ta bllokojnë çfarëdo vizite në Komunën e Gjakovës.

“Arsyeja e moslejimit të ardhjes së tij janë këto deklarata dhe ky niveli i deklarimit politik. Nuk është lejuar duke e ditur se ky i shfrytëzon festat fetare që të bëjë deklarime politike dhe të ofendime për institucionet e Kosovës”, ka thënë ajo.

Ofendimet në raport me protestuesit gjakovar, Kusari-Lila më tutje i ka cilësuar si pandjeshmëri për realitetin në Kosovë, veçanërisht për atë në Gjakovë.

Lini një koment