Boll i kemi treguar muskujt
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të vizitojë nesër Kosovën.
Ai ka pohuar se gjatë kësaj vizite do të përçojë mesazhe paqeje për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nuk pret që të ketë probleme gjatë qëndrimit të tij.
Kryetari i Partisë Progresiste Serbe, pas ceremonisë së ndezjes së dushkut në selinë e kësaj partie, ka thënë se në vizitën që do t’ia bëjë nesër Graçanicës, do t’u drejtohet serbëve me një porosi për Krishtlindjet Sllavo-Ortodokse.
Vucic, siç raportojnë mediat serbe, ka deklaruar se me fjalimin e tij do t’u tregojë serbëve të kësaj komune se ka ardhur koha qe me një dozë të shtuar të vetëbesimit, ata mund të vendosin të ardhmen e tyre në një mënyrë të ndryshme dhe më të mirë.
Po ashtu, ka thënë se nga investimet e Qeverisë së Serbisë në Veri janë punësuar 200 njerëz, ndërsa deri në qershor, sipas tij, do të punësohen deri në 1000.
“Gjithmonë do t’i ndihmojmë kombit tonë, por edhe t’ju themi se është më mirë që çdo gjë të arrihet me anë të paqes dhe të kenë raporte të mira me fqinjët e tyre shqiptarë”, tha Vuçiq.
Numri dy i Qeverisë së Serbisë, sipas lajmi.net ka paralajmëruar se nuk do të bëjë asnjë mesazh për nxitje të konflikteve, ose politike për vendosjen e flamurit të Shqipërisë në Komunën e Prishtinës “Ne jemi njerëz që mendojmë për të ardhmen e atdheut tonë, për prosperitetin ekonomik dhe jo t’i tregojmë muskujt para dikujt. Mjaftë kemi bërë gjëra të tilla në periudhat e mëhershme”.