Mërgimtarët nga Kosova, transit përmes Shqipërisë (Video)
Festat e fundvitit kishin kthyer në Atdhe, për të festuar me të afërmit e tyre, emigrantët nga Kosova. Ditët e para të janarit kanë shënuar fluks emigrantësh në pikat kufitare, të cilët kanë nisur të largohen drejt vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë.
Ata shprehen se çdo vit zgjedhin Shqipërinë për të kaluar transit për në vendet e Evropës, ndonëse rruga është pak më e gjatë.
“Këtu kemi kaluar shumë lehtë dhe shpejt. Qëkur është ndërtuar autostrada, është shumë më mirë të kalohet nga Shqipëria. Ka më shumë rrugë, por nuk presim shumë”, thonë emigrantët kosovarë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Morinës, në Kukës, janë regjistruar mbi shtatëmijë shtetas në hyrje, ndërsa kanë dalë prej saj më shumë se pesëmijë të tjerë. Përmes pikave të kalimit kufitar të Kukësit, në javën e parë të vitit 2014, kanë dalë nga Kosova për në Shqipëri rreth 16 mijë shtetas kosovarë, kryesisht emigrantë.
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit po punon me gjashtë sportele dhe personel të shtuar, ndërsa mendohet se fluksi i hyrjeve në territorin e Shqipërisë do të shtohet në ditët në vazhdim. /Top Channel/