Kujtesë e dhimbshme: Mos i harroni “Fëmijët e Kosovës” (Video)
Para 15 vitesh, grupi i famshëm “The Kelly Family” lansoi një këngë që u dedikohej vuajtjeve të fëmijëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Qëllimi i këngës që në mënyrë të dhimbshme përshkruante përjetimet e fëmijëve nga Kosova, ishte grumbullimi i mjeteve për vendin tonë dhe njëherësh ishte thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj tyre.
Telegrafi jua përkujton këngën që preku zemrat e botës:
The Kelly Family – Fëmijët e Kosovës
Besoj se dikush është atje Që do të më ndihmojë t’i jap Kujdes dashurie fëmijës pa emër Besoj se ti je atje Do të më ndihmosh t’ju jap Dhembshuri fëmijëve, kujdes dashurie
Sa shumë urrejtja është kthyer në hakmarrje E gjithë e qeshura është kthyer në vajtim Derisa nënat humbin fëmijët e tyre Nga lufta në luftë
Jam i uritur dhe kam të ftohtë E nuk kam askënd për t’u mbështetur Nëna dhe babai im Kanë vdekur e kanë ikur Ku e kam vendin unë?
Fëmijët e Kosovës Po vuajnë për një dorë që ndihmon Fëmijët e Kosovës Po ëndërrojnë për tokë paqësore
E rrahën vëllanë e madh E morën motrën time Kam frikë se dua hakmarrje A nuk ka ndonjë mënyrë tjetër
Le t’i mbajmë duart tona të lidhura tok Dhe të mendojmë si një përgjithmonë Ti dhe unë mund të bëjmë Një ndryshim për një botë më të mirë Jo më luftë.
“The Kelly Family” është një grup irlandezo-amerikano-evropian që përbëhet nga një familje prej disa gjeneratash që këndojnë muzikë rok, pop dhe folk.
Suksesi i tyre nëpër top-lista dhe koncerte ka qenë shumë i madh anekënd botës, e sidomos në Evropë. Që nga fundi i viteve të shtatëdhjeta e deri më tani ata kanë publikuar 22 albume, ndërsa nga vitet e tetëdhjeta e këndej kanë shitur mbi 20 milionë kopje albumesh.