Shteti i fjetur
Derisa shtynte një derë tek ambulancat specialistike në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL), 67-vjeçari nga Podujeva, ofshante dhe i mallkonte një nga një ata që i kishin mbyllur dyert. Ishte e kotë përpjekja e tij për të gjetur dikë, mesditën e së premtes.
“Eu Zoti mos e lashtë pa iu marrue…”, ofshante plaku, tek nuk gjente dot një derë të hapur, apo një njeri që do t’ia bënte një hall ditën kur ai kishte konsideruar se do të mund ta kryente një kontroll mjekësor.
Hajriz Mehmeti, pensionist, mbante një udhëzim në dorë tek sorollatej derë më derë në bodrumin e klinikave.
“Kam ardhur për një kontroll. Po ktu s’ish kërkush hiq”, tha plaku, tek ngjitej shkallëve për të parë nëse në katet e sipërme të Klinikës do të gjente ndonjë mjek, që do t’ia bënte një kontroll.
“Atje nalt nuk e dij a do t’më kontrollojnë. Se ata nalt janë veç për të smutit që janë të shtrimë në spital”, shprehej plaku, që kishte bërë rreth 30 km rrugë për të ardhur në kontroll specialistik.
Si zakonisht, të premten më e ngarkuar ishte Qendra Emergjente e QKUK-së, ku mësynin edhe raste që ishin të dedikuara për Klinika. /Tribuna/